BSH: Sektorët kryesorë të ekonomisë janë në tranzicion!
Sektorët kryesorë të ekonomisë po ndryshojnë pas krizave të njëpasnjëshme, nga pandemia, lufta e deri tek inflacioni.
Përveç inflacionit e tensioneve gjeopolitike, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ndër sfidat kryesore liston edhe inteligjencën artificiale e digjitalizimin.
“Shoqëritë, ekonomitë dhe sistemet tona financiare janë nën presion nga burime të ndryshme: luftërat, tensionet gjeopolitike në rritje, ndryshimet demografike, përshkallëzimi i ngjarjeve ekstreme klimatike, inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi i financave e parasë. Këto sfida kanë shkaktuar pasoja negative në zinxhirët e prodhimit dhe të furnizimit, kanë ndikuar tregjet e punës dhe kanë nxitur ndryshime strukturore të cilat kanë ndikuar produktivitetin, kostot, stabilitetin e çmimeve, si dhe stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik e financiar”, pohon Sejko
Guvernatori vlerëson se ky tranzicion ku disa fusha po zëvendësojnë sektorët tradicional të ekonomisë po rrit presionin ndaj tregjeve të punës.
“Rezultat i këtij tranzicioni janë: aktiviteti ekonomik i përshpejtuar, pozicioni i përmirësuar i sektorit të jashtëm dhe qëndrueshmëria e rritur. Megjithatë, ky tranzicion ushtron presion edhe mbi tregjet e punës tashmë të prekura nga emigracioni”, tha Sejko.
Në fjalën e tij në nisje të punimeve të Uorkshop-i XVII të Kërkimeve Ekonomike të Evropës Juglindore, guvernatori pohoi edhe një herë qasjen e bankës qendrore për të vijuar me rritjen e normës bazë të interesit nëse inflacioni nuk ulet siç është parashikuar.
Ndërkohë të gjitha bizneset në vend presin një tjetër rritje të çmimeve deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Në vrojtimin e fundit të kryer nga Banka e Shqipërisë, sektori i industrisë është më pesimist sa i takon çmimeve për tre muajit e ardhshëm. Produktet e prodhuara nga industria (ku përfshihet edhe industria ushqimore) në vend do të jenë 13.1% më të shtrenjta se muajit e kaluar, pasi bizneset janë përgjigjur se çmimet e produkteve do të arrijnë në 22.5% nga 9.4% që ishte në muajin nëntor.
Ndërtuesit janë sektori i dytë që presin rritjen më të madhe të çmimeve me 6.36% në tre muajit e ardhshëm, për të kaluar tek shërbimet me 4.12% dhe sektori i tregtisë me 0.5%.