Izraeli zgjeron ofensivën në Gaza!

vovalbania December 04, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Izraeli zgjeron ofensivën në Gaza!

Izraeli e nisi javën duke zgjeruar ofensivën kundër militantëve të Hamasit, në Gazën e rrethuar, ndërsa shqetësimi ndërkombëtar është thelluar për numrin në rritje të viktimave civile, në luftën që vijon prej dy muajsh. Që nga përfundimi i armëpushimit të premten, luftimet janë intensive. Mbrëmë vonë, sulmet izraelite goditën hyrjen e spitalit Kamal Aduan në veri të territorit, referuar burimeve palestineze.

Disa njerëz u vranë në sulm.  Izraeli ka kryer një shkelje të rëndë të ligjit humanitar.

E kontaktuar nga AFP, ushtria izraelite nuk komentoi. Izraeli thotë se “Hamasi përdor spitalet dhe infrastrukturën tjetër civile, për qëllime ushtarake”, një akuzë që grupi militant e mohon.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit vazhdojnë të zgjerojnë operacionin tokësor kundër fronteve kryesore të Hamasit, në Rripin e Gazës. Kudo që ka një bastion të Hamasit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit veprojnë.

Bllokim në negociata

Izraeli është zotuar ta shtypë Hamasin, në shenjë hakmarrjeje për sulmet e grupit militant të 7 tetorit që vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz, kryesisht civilë, sipas autoriteteve izraelite. Mbi 240 të tjerë, mes tyre fëmijë të vegjël e persona të moshuar, u morën peng në Gaza.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 15 mijë e 500 persona janë vrarë në territorin e Gazës që nga 7 tetori, më shumë se gjysma e tyre gra dhe fëmijë. Në një armëpushim të ndërmjetësuar nga Katari, me mbështetjen e Egjiptit dhe të Shteteve të Bashkuara, 80 pengje izraelitë u liruan, në këmbim të lirimit të 240 palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.

Megjithatë, luftimet rifilluan mes dy palëve që të premten e kaluar, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për një zgjatje të armëpushimit. Të nesërmen, pra më 2 dhjetor, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se negociatorët izraelitë po tërhiqen nga Katari, “pas ngërçit në negociatat” që synojnë rinovimin e armëpushimit.

Me 137 pengje ende të mbajtur në Gaza, sipas ushtrisë izraelite, Hamasi ka përjashtuar mundësinë e lirimeve të tjera derisa të arrihet një armëpushim i përhershëm. Grupi militant islamik palestinez është shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA-të e Bashkimi Europian, BE.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65256 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE