Nga 2024-a, qeveria planifikon eliminimin e tarifave të reduktuara dhe përjashtimet nga taksat!
Qeveria parashikon që në dy vitet e ardhshme, në kuadrin fiskal të eliminohen disa tarifa të reduktuara, përjashtime nga taksat direkte, si dhe ato përjashtime që nuk kanë dhënë efektin e pritshëm. Në një dokument zyrtar mbi përputhshmërinë e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian pranohet se harmonizimi është një sfidë e vazhdueshme që kërkon gjithashtu edhe rritje të kapaciteteve operacionale e kompjuterizimit të administratës tatimore, çka ndikon në efikasitetin e saj.
Në këtë kontekst, dokumenti sqaron se cilat do të jenë prioritetet dhe planet e Shqipërisë deri në vitin 2030 për përafrimin dhe plotësimin e kritereve të Bashkimit Europian në aspektin e tatimeve e duket se një prej tyre ka të bëjë me përjashtimet nga taksat.
Bazuar në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar dhe iniciuar rishikimin e normave të reduktuara dhe përjashtimeve në ligjet tatimore, të cilat rrisin volumin e “shpenzimeve tatimore”. Në këtë kuadër:
Gjatë vitit 2024 e në vazhdim do të miratohen ndryshime për eliminimin e tarifave të reduktuara dhe përjashtimet në tatimet direkte.
Gjatë vitit 2025 e në vijim do të rishikohen përjashtimet aktuale në fushën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, me qëllim eliminimin e përjashtimeve që kanë përmbushur misionin e tyre ose që kanë rezultuar të pasuksesshme gjatë zbatimit dhe nuk kanë dhënë efektin e pritur.
Përjashtimet nga taksat direkte apo nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është kritikuar herë pas here nga institucionet ndërkombëtare, duke e konsideruar këtë si një problem që e bën më të vështirë arkëtimin e të ardhurave dhe e bën më të lehtë mundësinë për evazion.
Ndër vite, paketat fiskale të qeverive kanë parashikuar përjashtime kryesisht te TVSH-ja, por edhe në tatime direkte. Të tilla ishin më herët përjashtimet nga TVSH-ja për investitorët në energji, më pas një përjashtim me pak i plotë ishte për investitorët me status të veçantë në turizëm e që sillnin një markë hoteliere ndërkombëtare, diçka që ende vazhdon.
Kjo e fundit është një ndër politikat më të kritikuara për shkak se në jo pak raste është etiketuar si një formë që është shfrytëzuar nga ndërtues për të shmangur pagesën e taksave në ndërtime që nuk janë të destinuar për turizëm. Përjashtimet janë të shumtë ndër vite dhe prekin një sërë sektorësh./Monitor