Të shtëna në Universitetin e Nevadës, tre viktima dhe një i plagosur!

vovalbania December 07, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Të shtëna në Universitetin e Nevadës, tre viktima dhe një i plagosur!

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, policia njoftoi se tre vetë u vranë dhe një ndodhet në gjendje kritike pasi një person hapi zjarr në kampusin e Universitetit të Nevadës, në Las Vegas. Një i dyshuar u gjet i vdekur, ndërsa agjentët reaguan ndaj një individi të armatosur dhe njoftimeve për viktima të shumta në Universitetin e Nevadës, në Las Vegas.

Në një postim të universitetit në rrjetin social X thuhet se “një person i armatosur ishte në ndërtesën e shkollës së biznesit” dhe se policia po reagonte lidhur me njoftime të tjera për të shtëna pranë zyrave të unionit studentor.

Policia e Las Vegasit shkroi po në rrjetin X se një i dyshuar u gjet i vdekur, rreth 40 minuta pas njoftimeve fillestare për të shtëna.  “Ky nuk është një test”, theksoi universiteti në rrjetin social, duke i këshilluar studentët që të fshiheshin. Studenti Matthew Felsenfeld tha se ai me mbi 10 shokë të grupit u fshehën në një ndërtesë pranë zyrave të unionit studentor.

“Është momenti kur i telefonon prindërit dhe i tregon sa shumë i do”, tha Felsenfeld, student 21-vjeçar i gazetarisë. Ai deklaroi se nuk dëgjoi të shtëna me armë zjarri e nuk pa ndonjë të plagosur, por bëri të ditur se vështroi nga dritaret ndërsa policia u fut në një ndërtesë aty pranë. Pak më vonë, policia i shoqëroi jashtë ndërtesës.

Një gazetar i agjencisë Associated Press pa një njësi të ndërhyrjes së shpejtë me shenjat e FBI-së në kampusin studentor, menjëherë pasi policia njoftoi për të dyshuarin e vdekur.

Zyrtarët e universitetit u kërkuan njerëzve të pranishmë në kampus që të vazhdojnë të qëndrojnë të ngujuar duke thënë se ende vazhdojnë operacionet hetimore. Universiteti me më shumë se 39 mijë studentë shtrihet në një sipërfaqe prej 134 hektarësh, rreth 4 kilometra nga qendra e qytetit Las Vegas.

Të shtënat ndodhën në një qytet që ende ruan plagët nga sulmi i armatosur i 1 tetorit të vitit 2017 kur u vranë 60 vetë dhe qindra të tjerë u plagosën. Universiteti gjendet rreth 5 kilometra nga vendi i ngjarjes.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65261 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE