Guterres: Brutaliteti i Hamasit nuk e justifikon “ndëshkimin kolektiv” të palestinezëve!
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë të premten se brutaliteti i Hamasit nuk mund të arsyetojë kurrë “ndëshkim kolektiv” të palestinezëve, teksa Izraeli zhvillon fushatë kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Hamasi, grup palestinez që kontrollon Rripin e Gazës, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Guterres ka mbajtur një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, disa javë pas nisjes së luftimeve që kanë lënë mbi 17.170 persona të vdekur në Gazë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
“Rreth 130 pengje po mbahen ende. Bëj thirrje për lirim të menjëhershëm dhe pa kushte, si dhe trajtim njerëzor dhe vizita të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, derisa të lirohen”, ka thënë Guterres.
“Në të njëjtën kohë, brutaliteti i kryer nga Hamasi, nuk mund të arsyetojë kurrë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez”.
Duke u zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin, Izraeli vazhdon të bombardojë Gazën, qysh prej 7 tetorit, ditën kur Hamasi ka kryer sulme në jug të Izraelit, dhe e ka nxitur kështu luftën.
Militantët e Hamasit kanë vrarë rreth 1.200 njerëz dhe kanë marrë peng mbi 240 njerëz.
“I dënoj këto sulme, pa asnjë rezervë. Jam i tronditur nga raportimet për dhunë seksuale”, ka thënë Guterres.
“Nuk ka arsyetim për vrasje të qëllimshme të 1.200 njerëzve, përfshirë 33 fëmijëve, plagosjen e mijëra tjerëve dhe marrjen e pengjeve”.
Guterres e ka shfrytëzuar Artikullin 99 të Kartës së OKB-së për të fokusuar vëmendjen e Këshillit “në çfarëdo çështje që, sipas mendimit të tij, mund të kërcënojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
Askush që e ka mbajtur këtë pozitë ndër dekada, nuk ka vepruar kështu.
Guterres synon arritjen e një “armëpushimi humanitar” për të parandaluar “katastrofë me implikime potencialisht të pakthyeshme për palestinezët” dhe gjithë Lindjen e Mesme.