Bombardime izraelite në Gaza, edhe aty ku iu kërkua civilëve të gjenin strehim!
Orët e fundit, avionët luftarakë të Izraelit bombarduan disa pjesë të Rripit të Gazës, përfshirë disa zona në jug, ku ushtria izraelite kishte urdhëruar palestinezët të evakuoheshin. Bombardimet u kryen pasi dje Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vunë veton një rezolute të mbështetur pothuajse nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit, përfshirë Shqipërinë, si edhe dhjetëra vende të tjera. Dokumenti kërkonte armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza.
Në Këshillin e Sigurimit me 15 anëtarë, 13 votuan pro, një kundër, ndërsa Britania e Madhe abstenoi. Kufijtë e Gazës me Izraelin dhe Egjiptin janë mbyllur, çka nënkupton se palestinezët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të kërkojnë strehim brenda territorit të tyre.
Nga bombardimet izraelite në Gaza, numërohen 17 mijë e 400 viktima prej 7 tetorit. 70% e tyre janë gra dhe fëmijë ndërsa mbi 46 mijë mbetën të plagosur. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ende shumë njerëz kanë mbetur nën rrënoja. Izraeli bën përgjegjës Hamasin për vrasjet e civilëve, duke i akuzuar pjesëtarët e tij se po i përdorin civilët si mburoja njerëzore.
Banorët e Gazës, sot raportuan për sulme ajrore në veri e jug të vendit, përfshirë qytetin Rafah, i cili shtrihet pranë kufirit egjiptian dhe është vendi ku Izraeli urdhëroi civilët të shkonin për t’u strehuar. Në spitalin kryesor Deir Al-Balah u dërguan trupat e 71 të vrarëve nga bombardimet në 24 orët e fundit.
Për bombardime gjatë natës u raportua edhe në kampin e refugjatëve Nuseirat. Një pjesë të ngushtë të vijës bregdetare në jug, Muwasi, Izraeli e shpalli zonë të sigurt, por palestinezët që shkuan atje, tregojnë për kushte të rënda dhe mbipopullim, me mungesë të vendstrehimeve.
Izraeli po përpiqet ta pushtojë veriun e Gazës, ku luftimet e ashpra flasin për rezistencë të madhe nga Hamasi. Besohet se mijëra banorë kanë mbetur atje, pavarësisht urdhrave për evakuim.
Mbi 1 mijë e 200 persona, kryesisht civilë, u vranë gjatë sulmit të Hamasit kundër Izraelit, më 7 tetor. Më shumë se 240 të tjerë u morën peng. Gjatë një armëpushimi të përkohshëm njëjavor u lirua një pjesë e pengjeve në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë.
Besohet se 130 pengje mbahen nga Hamasi në Gaza. Pavarësisht presionit të madh ndërkombëtar, administrata Biden kundërshton thirrjet për armëpushim, duke paralajmëruar se kjo do t’i mundësonte Hamasit të mbijetojë e sërish do të jetë kërcënim për Izraelin.