Rreth 1 miliard euro për Hungarinë, BE-ja jep dritën jeshile!
Ministrat e Financave të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ranë dakord për t’i ndarë shumën 920 milion euro Hungarisë, në kuadër të fondeve për rimëkëmbje pas pandemisë së koronavirusit, si dhe mes tensioneve të liderëve të Bashkimit Europian me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
Kujtojmë se muajin e kaluar, ekzekutivi i BE-së miratoi planin për Hungarinë, lidhur me një shpenzim të 10.4 miliardë eurove për rimëkëmbje pas pandemisë, por lëshimi i pjesës më të madhe të fondeve u pezullua, në pritje që Budapesti zyrtar të përmbushte kushtet për zbatimin e ligjit.
Por, shuma rreth një miliard euro nuk ishte e kushtëzuar, siç pati thënë zëdhënësja e Komisionit Europian, Veerle Nuyts, më 23 nëntor.
Drita e gjelbër vjen edhe pasi Viktor Orban është akuzuar se ka shprehur gatishmëri për t’i vënë veton ndihmës së BE-së për Ukrainën e ta pengojë nisjen e bisedimeve të Kievit për anëtarësim në bllokun europian, në një samit që do të mbahet javën e ardhshme. Orban bëri të qartë se kjo do të vihet në zbatim, nëse vendit të tij, nuk i zhbllokohen fondet.
Ministrat e Financave janë takuar në Bruksel për fondet e 13 shteteve, përfshirë planin për Hungarinë në vlerë 10.4 miliardë euro, me 6.4 miliardë euro si grante e 3.9 si hua.
Blloku mund të zhbllokojë akoma edhe më shumë fonde për Hungarinë, pasi Budapesti të marrë masa për ta forcuar pavarësinë e gjyqësorit. Këtë e tha një zyrtar i Bashkimit Europian, javën e kaluar.
Mes shqetësimeve në rritje se Orbani mund të prishë mundësinë e marrjes së vendimeve kyçe për Ukrainën në samitin e BE-së, që do të mbahet në datat 14 e 15 dhjetor, disa zyrtarë të lartë europianë kanë vendosur që të takohen me të.
Charles Michel, president i Këshillit Europian zhvilloi një takim me kryeministrin hungarez më 27 nëntor, me qëllim uljen e tensioneve. Po ashtu, presidenti francez, Emmanuel Macron e priti liderin e Hungarisë në Paris, dy ditë më parë.