Vrasja e Liridona Ademajt, arrestohet një person i katërt!
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka arrestuar një person të katërt, i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt.
Ai dyshohet për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Personi i arrestuar dyshohet se u ka shitur armën, më të cilën është kryer vrasja e Liridona Ademajt. I arrestuari është Tomë Doda, 49 vjeç, nga fshati Novosellë i Gjakovës.
Lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt deri më tani janë arrestuar katër persona, mes tyre edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.
Si ndodhi ngjarja?
Vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademaj të mërkurën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Prishtinë tronditi shqiptarët.
Fillimisht, Policia e Kosovës rastin e raportoi si “grabitje me pasoja të vrasjes”, kurse dy ditë më vonë, policia njoftoi për arrestimin e tre personave të dyshuar për ngjarjen. Organizatori i vrasjes së të resë ishte Naim Murseli, kurse ekzekutori Granit Plava, bashkëfshatar i tij. Dyshohet se për kryerjen e vrasjes Plava do të paguhej 30.000 euro nga Murseli, ku 15 mijë euro i kishte marrë para kryerjes së vrasjes dhe 15 mijë të tjera do t’i merrte më pas.
Më vonë Policia e Kosovës arrestoi edhe një person të tretë si të dyshuar për vrasjen eLiridona Ademajt, i cili ishte Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Trupi i Liridonës u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës dhe u rivarros në fshatin e saj të lindjes, Rracaj, ndërsa ishin të pranishëm dhjetëra qytetarë. Janë ende të paqarta arsyet e vrasjes së Liridona Ademajt, ndërsa hetimet vijojnë ende.