Gjykata Speciale merr në pyetje ish-drejtuesin e UÇK-së, Haxhi Shala!

vovalbania December 11, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Gjykata Speciale merr në pyetje ish-drejtuesin e UÇK-së, Haxhi Shala!

Ish-drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, sot është ftuar të merret në pyetje nga Gjykata Speciale. Për Radion Evropa e Lirë, lajmin e konfirmoi djali i tij, Flakroni. Ai bëri të ditur se Haxhi Shala është duke u pyetur në zyrat e Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX) në Fushë Kosovë.

E kanë ftuar për intervistim, deri më tani e kemi vetëm këtë informatë. Nuk i dimë arsyet, tani ndodhet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, nuk ka dashur të komentojë këtë rast, por ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar operacione në Kosovë. Për Radion Evropa e Lirë, burime nga kjo zyrë deklaruan:

Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejshme!

Gjykata Speciale po heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000. Ky institucion e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm. Në një tjetër proces gjyqësor, gjykohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala. Ai akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku supozohet se janë keqtrajtuar disa persona e njëri prej tyre është vrarë.

Shala është shprehur se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara. Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Speciale  ka dhënë dënimin e parë për krime lufte. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa u dënua me 26 vjet burg për vrasje, ndalim arbitrar, si dhe tortura.

Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, të shpallur fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë. Gucati është liruar ndërkohë, por me disa kushte.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65704 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE