Bie çmimi i naftës në tregjet e huaja, kap vlerën më të ulët prej qershorit!

vovalbania December 13, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Bie çmimi i naftës në tregjet e huaja, kap vlerën më të ulët prej qershorit!

Çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare ka zbritur në nivelin më të ulët që prej qershorit të këtij viti.

Sot një fuçi naftë po tregtohet me 72-73 dollarë, ndërkohë që ka rënë me afërsisht 7 dollar që prej fillimit të këtij muaji. Ndërsa në raport me vitin e kaluar çmimi i naftës në bursë është rreth 10 dollarë më lirë.

Edhe tregu vendas ka reflektuar në shifra të vogla uljen e çmimit në bursë, pasi nga 199 lekë që ishte javën e kaluar një litër naftë, ka zbritur në mesatarisht 193-195 lekë litri.

Bursa e naftës ka qenë e luhatshme në javët e fundit, për shkak të luftës që vijon në Ukrainë dhe tensioneve Palestinë-Izrael, që vënën në pikëpyetje mjaftueshmërinë e naftës në treg.

Shtetet e Bashkuara, kryesojnë renditjen e prodhuesve të naftës së papërpunuar në mbarë botën, përpara Arabisë Saudite dhe Rusisë. Vende si Kanadaja, Iraku, Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Brazili, Kuvajti dhe Irani plotësojnë dhjetë prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk është vendi me sasinë më të madhe të rezervave të naftës.

Këtë renditje e kryeson Venezuela. Ajo ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, me 303 miliardë fuçi, sipas të dhënave të mbledhura nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC). Megjithatë, prodhimi i saj ditor i fuçive të naftës së papërpunuar, prej rreth 700 000 fuçi, është shumë më i ulët se ai i prodhuesve më të mëdhenj.

Vendi i Amerikës së Jugut, për sa i përket rezervave, është përpara vendeve si Arabia Saudite (262 miliardë), Irani (208 miliardë) apo Kanadaja, e cila nuk arrin pragun e 200 miliardë fuçive. OPEC kontrollon midis 35% dhe 40% të tregut botëror të naftës së papërpunuar dhe 15 vendet e tij anëtare së bashku mbajnë 82% të rezervave botërore të naftës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE