OKB-ja: Shërbimet e ekipit tonë në Gaza në prag të kolapsit!
Kreu i agjencisë palestineze të OKB-së për refugjatët, Philippe Lazzarini, ka paralajmëruar se ekipi i tyre që ofron ndihma në Gaza është në “prag të kolapsit”.
Sipas tij përgjigja humanitare e UNRWA mbështetet shumë në kapacitet, të cilat aktualisht janë në gjenden të vështirë.
Lazzarini raportoi se Rafah, një qytet zakonisht me 280,000 banorë, po strehonte më shumë se një milion palestinezë pas zhvendosjes me forcë nga veriu drejt jugut. Familjet jetojnë në stenda, ndërsa njerëzit janë të uritur dhe dëshpëruar.
“Pamja e një kamioni që transportonte ndihma humanitare tani provokon kaos. Njerëzit janë të uritur. Ata ndalojnë kamionin dhe kërkojnë ushqim dhe e hanë në rrugë. Popullit të Gazës po i mbaron koha dhe mundësitë, pasi ata përballen me bombardime, privime dhe sëmundje në një hapësirë gjithnjë e në tkurrje”, tha ai i prekur nga situata aktuale.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me shumicë dërrmuese të martën për të kërkuar një armëpushim humanitar në Gazë, në një tregues të fuqishëm të mbështetjes globale për përfundimin e luftës Izrael-Hamas.
Votimi në organizatën botërore me 193 anëtarë ishte 153 pro armëpushimit, 10 kundër dhe 23 abstenime. Mes vendeve që kërkuan armëpushim është edhe Shqipëria.
Përveç Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, tetë vende të tjera e kundërshtuan rezolutën: Austria, Çekia, Guatemala, Liberia, Mikronezia, Nauru, Papua Guinea e Re dhe Paraguaji.
Mbështetja për një rezolutë për armëpushim ishte më e lartë sesa ajo për një rezolutë më 27 tetor që bënte thirrje për një “armëpushim humanitar” ku votimi ishte 120-14 me 45 abstenime.
Pasi Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një rezolute në Këshillin e Sigurimit të premten ku kërkohej një armëpushim humanitar, vendet arabe dhe myslimane kërkuan një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh për të votuar për një rezolutë ku kërkohet e njëjta gjë.
Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk kanë fuqi detyruese. Megjithatë edhe mesazhet e asamblesë “janë shumë të rëndësishme” dhe pasqyrojnë opinionin botëror, tha të hënën zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Votimi i Asamblesë së Përgjithshme pasqyron izolimin në rritje të Shteteve të Bashkuara në refuzimin për t’iu bashkuar kërkesave për një armëpushim. SHBA dhe Izraeli thonë se një armëpushim i plotë do të ndihmonte vetëm Hamasin.