4 në pranga në Portin e Durrësit për favorizim të kontrabandës së mallrave!
Regjistronin të dhëna të rreme, që automjete dhe kontejnerë t’iu shmangeshin kontrolleve në PKK e kështu të mund të kalonin mallra të kontrabanduara, në Portin e Durrësit vihen në pranga tre inspektorë mbikëqyrës të një kompanie private e një ndihmës-specialist kontrollor në Policinë Kufitare. Po ashtu, vijon puna për kapjen e një 56-vjeçari, i cili dyshohet se duke falsifikuar elementet e sigurisë (plumbçet) të kontejnerit të kamionit që drejtonte, ka kaluar mallra të kontrabanduara.
Në vijim të aksioneve intensive të Policisë, të kryera në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, kundër paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Sinkroni”. Si rezultat i operacionit u vunë në pranga, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, të kryera në bashkëpunim, shtetasit:
E. Gj., 35 vjeç, A. K., 52 vjeçe dhe D. M., 41 vjeç, të tre me detyrë inspektorë mbikëqyrës në kompaninë private që merret me përpunimin e mallrave dhe të kontejnerëve në portin e Durrësit, si dhe shtetasi A. V., 27 vjeç, me detyrë ndihmësspecialist kontrollor në Policinë Kufitare të portit të Durrësit.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 4 shtetas, duke shpërdoruar detyrat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar të dhëna të rreme në sistemet kompjuterike, me qëllim lejimin e kalimit pa kontroll doganor, të automjeteve dhe kontejnerëve që transportonin mallra të kontrabanduara.
Në vijim të këtyre veprimeve u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi D. H., 56 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Kondrabanda me mallra të tjera”, pasi dyshohet se ka falsifikuar vulat e sigurisë (plumbçet) të kontejnerit të kamionit që drejtonte dhe me të ka kaluar mallra të kontrabanduara. Vijon puna për kapjen e shtetasit D. H.