Gërdeci, Mediu: Kam bërë detyrën time/Shkëlzen Berisha nuk u paraqit për të dëshmuar!
Për rreth 3 orë, sot në GJKKO u mbajt seanca e radhës për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nën gjykim “Për shpërdorim detyre”. 7 dëshmitarë u thirrën për të dëshmuar, mes tyre Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili nuk u paraqit. Sipas prokurorit, në dëshminë e parë, ai dha një tjetër adresë banese e tashmë ka ndryshuar vendndodhje.
Kërkesa do të dërgohet në adresën e banesës, për t’u marrë në pyetje në seancën e radhës, që u shty për më 27 dhjetor, ora 09.00.
Ndërkaq, dëshmoi ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, i cili mohoi shënimin “Për Shkëlzenin”. Edhe lidhur me kallëzimin për falsitet e dëshmi të rreme nga sekretarja e tij, ka deklaruar se nuk është dijeni çfarë është bërë. Veç ish-ministrit Bumçi, dëshmuan edhe sekretarja e tij në atë kohë, Alma Zili dhe Plarent Rruka, ish-këshilltar ligjor i Fatmir Mediut.
I pyetur nga gazetarët për marrëdhënien e tij me Shkëlzen Berishën, Bumçi pranoi njohjen, por tha se ka diskutuar vetëm për fushatë elektorale.
Sa i takon marrëdhënies me Shkëlzen Berishën, patjetër që njihemi. Mund të them se nuk ka qenë diçka miqësore, por politike. Mund të ketë ardhur dy herë në zyrën time dhe ka qenë periudhë fushate elektorale. Diskutimet me të ishin vetëm të këtij formati, politike e fushate. Berisha nuk punonte në Ministrinë e Mbrojtjes, ç’duhej emri i tij në shkresë? Kam bërë kallëzim penal që më 2008-ën për këtë çështje, ai nuk është shkrimi im. Ende nuk di çfarë ka bërë Prokuroria e Tiranës me hetimet. Kallëzimin e bëra për dëshmi të rremë dhe falsifikim.
Alma Zili, ish-sekretarja e Bumçit tha se nuk ka qenë në punë kur është dërguar faksi me mbishkrimin “Për Shkëlzen Berishën”, nga Ministria e Drejtësisë te e Mbrojtjes.
Ish-ministri Mediu tha se ka kërkuar që të dalë e vërteta:
Dua të dalë e vërteta. U provua se kam vepruar në respekt të ligjit, për detyrimet e BE-së e të plotësimit të akteve ligjore. Ka pasur marrëdhënie korrekte me strukturat civile dhe ato ushtarake. Nuk ka pasur asnjë reklamim te ministri i Mbrojtjes. Ky demontim ishte çështje e sigurisë, detyrim ligjor, çështje sigurie për Shqipërinë. Ka qenë një kërkesë sipas procedurave. Si është përzgjedhur vendi i demontimit, strukturat që kanë detyrimin ligjor përcaktojnë vlerësimin. Çdo urdhër ministri detyron me raportime përkatëse, përndryshe nuk kemi të bëjmë me strukturë të posaçme. Nuk kam bërë as më shumë as më pak, veçse detyrën time. Meqenëse është ngritur akuza që ministri ka krijuar dëm ekonomik, e para nuk ka ministri që thotë kush e paguan transportin.
Këto kanë dalë nga stafet që përgatisin urdhrat. Në Ministrinë e Mbrojtjes është bërë nga Forcat e Armatosura. Do të jem në çdo seancë të Gërdecit në të njëjtën mënyrë siç kam qenë. Ka një raport mujor të Policisë Ushtarake që i drejtohet edhe shefit të Shtabit edhe ministrit të Mbrojtjes. Në raportin për muajin maj është adresuar edhe me punimet e paligjshme në Gërdec. Kompania kishte bërë shkelje, detyra e ministrit është të vlerësojë këtë shqetësim dhe ta adresojë. Unë nuk kam dijeni që ka pasur veprime mbrapa. Nuk ka një akt që unë ta kem neglizhuar dhe të mos e kem raportuar.