SHBA-të presin që qeveria e re serbe t’i përmbahet marrëveshjes me Kosovën!
Nga qeveria e ardhshme e Serbisë që do të dalë nga zgjedhjet e së dielës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe rrugën drejt integrimit europian. Qëndrimin e shprehu ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, në një intervistë për Zërin e Amerikës:
Populli serb do të votojë si të dojë. Ne presim që qeveria t’i përmbahet marrëveshjes që ka bërë në lidhje me Kosovën. Në muajt e fundit është shënuar progres për çështjen e Kosovës. Disa nga çështjet kryesore kontestuese kanë filluar të zgjidhen, si ajo e targave, doganave.
Zyrtari amerikan shtoi se duhet bërë progres i mëtejshëm dhe vuri në dukje se e ardhmja e Ballkanit qëndron në tregun e përbashkët europian e në anëtarësimin europian.
Për t’u bashkuar me të vërtetë në tregun e përbashkët europian, të dyja palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, të njohin kufijtë e të pajtohen për bashkëpunim. Ne presim që ata të punojnë përsëri duke filluar me angazhimet që kanë ndërmarrë.
Teksa foli për vazhdimin e negociatave mbi normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, O’Brien deklaroi se SHBA-të presin ulje të tensioneve në komunat në veri të Kosovës, me shumicë serbe.
Eshtë një zonë ku forcat e KFOR-it, NATO-s janë forcuar. Misioni europian, EULEX, gjithashtu ka qenë shumë aktiv kohën e fundit. Asnjë palë nuk ka arsye të shkaktojë tensione atje dhe ajo zonë duhet të qëndrojë e qetë.
Në veriun e Kosovës, gjendja vazhdon e tensionuar prej fillimit të vitit kur serbët kundërshtuan kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, të dalë nga zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill.
Më 24 shtator, situata u përshkallëzua pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova fajësoi Serbinë për sulmin, por Beogradi mohoi përfshirjen në të.
Kthimi i serbëve në institucionet publike është një nga hapat që O’Brein përmendi për uljen e tensioneve.
Qytetarët serbë të Kosovës që jetojnë në atë rajon duhet të mirëpriten përsëri në institucionet publike dhe kjo do të zvogëlojë tensionet. Sinqerisht, të dyja palët kanë një punë të madhe për të bërë, për t’u siguruar që të vazhdojnë rrugën e normalizimit për të cilën u pajtuan në mars, në Ohër. Kështu që ka punë për t’u bërë.
O’Brien shtoi se SHBA-të do të vazhdojnë të theksojnë sa i rëndësishëm është “përfundimi i kësaj pune në muajt e ardhshëm”.
Ekonomitë e tyre tashmë janë të lidhura me Bashkimin Europian dhe tani duhet të zbatojnë reforma e të angazhohen për të qenë pjesë e atij komuniteti. Kur ta bëjnë këtë, unë mendoj se tensionet do të ulen dhe ata do të kenë një marrëdhënie më të madhe.