Kaos në Kuvend, PS kërkon përjashtimin e Saimir Korreshit, Edmond Spahos dhe Kastritot Pirolit!
Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin nga punimet e Kuvendit për 3 deputetët e grupimit Bardhi-Berisha, pas tensioneve në parlament ditën e djeshme.
Socialistët kanë kërkuar përjashtimin e Saimir Korreshit, Edmond Spahos dhe Kastriot Pirolit, pasi krijuan kaos në Kuvend e ndezën tymuese, duke mos lejuar zhvillimin normal të seancës plenare.
Mes tymueseve PS miratoi dje (14 dhjetor) rregulloren e re e cila përjashton me 2 muaj deputetët që shkaktojnë kaos në Kuvend.
Seanca zgjati vetëm 8 minuta, ndërsa 13 deputetët e përjashtuar për më shumë se një orë e gjysmë, në përpjekje për tu futur në sallë, u përplasën fizikisht me gardën, ndërsa thyen xhamin e derës kryesore të Kuvendit.
Opozita i cilësoi anti-kushtetuese këto ndryshime dhe paralajmëroi ankimimin e tyre në Gjykatën Kushtetuese.
“Sot në një atentat të vërtetë të parlamentarizmit është miratuar në mënyrë të njëanshme seti i rregullave të bashkëjetesës në Parlament,” tha për mediat kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Ai njoftoi se grupi demokrat nuk do t’i njohë këto ndryshime “të njëanshme” dhe të “dhunshme”, duke shtuar se “nuk do t’i bindemi atyre rregullave me të cilat nuk kemi rënë dakord”.
Socialistët janë kujdesur që të parashikojnë me imtësi dhe rastet kur përjashtohen deputetët që duket se lidhen me incidentet e javëve të fundit në Kuvend.
Për shembull, masa disiplinore më e rendë “përjashtim deri në 60 ditë” jepet në rastet kur deputeti “përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme” dhe “kur bën sjellje që përbëjnë shkeje që konfigurohen si shkelje penale pavarësisht nëse shkelja përbën vepër penale sipas Kodit Penal”.
Deri në 30 ditë përjashtim parashikohet për rastet “kur deputeti përdor dhunë fizike ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave apo të Gardës së Republikës” dhe “kur dëmton pajisjet dhe orenditë e çdo mjet tjetër logjistik”.
Sipas ndryshimeve, ngushtësohet po ashtu mundësia e apelimit të masës dhe mënyra e pezullimit të saj, duke ia lënë vendimmarrjen në dorë shumicës në Byronë Parlamentare.
Në rastet e ankimimit të masës dhe parashikimit të mëparshëm që ajo pezullohej deri në një vendim të Byrosë së Kuvendit, në ndryshimet reja parashikohet që “pezullimi” nuk do të jetë më automatik, por nëse ka një vendim “të ndërmjetëm” të Byrosë deri në dhënien e vendimit përfundimtar për ankimimin.