Lufta ruse në Ukrainë, Kievi lëshon fletë-arrest për Patriarkun rus Kirill!

vovalbania December 16, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Lufta ruse në Ukrainë, Kievi lëshon fletë-arrest për Patriarkun rus Kirill!

Ministria e Brendshme e Ukrainës e ka përfshirë kreun e Kishës Ortodokse Ruse, Patriarkun Kirill, në listën e personave në kërkim, pasi shërbimet e sigurisë e akuzojnë për nxitje të konfliktit klerikun e lartë ortodoks. Siç dihet, Patriarku Kirill njihet si një përkrahës i zëshëm i luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar e që vijon prej rreth dy vitesh.

Masa është krejtësisht simbolike, pasi Patriarku Kirill gjendet në Rusi dhe nuk rrezikohet nga arrestimi. Por, mund të thuhet se ky është vetëm një prej hapave të marrë nga Ukraina, vend i cili synon që të çrrënjosë ndikimin e klerikëve fetarë, që mbajnë lidhje të ngushta me Rusinë, si dhe përçajnë shoqërinë ukrainase.

Besimi i krishterë ortodoks është feja dominuese në Ukrainë dhe kohët e fundit, autoritetet ukrainase kanë ngritur disa raste penale kundër klerikëve të lidhur me një degë të Kishës Ortodokse, e cila më parë ka pasur komunikim direkt me Kishën e Rusisë dhe Patriarkun Kirill.

Parlamenti në Kiev është duke shqyrtuar një projektligj që ndalon veprimtarinë e asaj dege, me arsyetimin se tashmë ka humbur shumicën e famullive, prej nisjes së luftës. Në anën tjetër, Kisha insiston se i ka ndërprerë të gjitha lidhjet me Moskën, në maj të vitit të kaluar.

Patriarku Kirill i ka dënuar këto veprime dhe u ka bërë thirrje klerikëve në botë, që të veprojnë për t’i ndalur hapat e Ukrainës kundër kishës. Për agjencinë ruse të lajmeve RIA, një përfaqësues i lartë i objektit të kultit u shpreh se futja e emrit të Kirillit në listën e personave të kërkuar është “hap sa qesharak, aq edhe i parashikuar”.

Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan atë si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE