Mes shqetësimeve për luftën, Izraeli çon përpara ofensivën në Gaza!

vovalbania December 17, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mes shqetësimeve për luftën, Izraeli çon përpara ofensivën në Gaza!

Izraeli vazhdon të çojë përpara ofensivën në Rripin e Gazës, ndonëse vrasja e tre pengjeve izraelite që nuk mbanin bluza, por treguan flamuj të bardhë, po shton pikëpyetjet. Ushtria tha se i ngatërroi me terroristë. Për të katërtën ditë radhazi, Gaza vazhdon pa akses në linjat e komunikimit. Kjo ndërlikon përpjekjet për shpëtim e për të regjistruar viktimat civile.

Izraeli mund të përballet me presion në rritje për të ulur shkallën e operacioneve luftarake kur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin të vizitojë vendin javën që vjen.

Uashingtoni po shpreh shqetësim në rritje për numrin e të vrarëve dhe zhvendosjen masive të 1.9 milion palestinezëve, rreth 85% e popullsisë së Gazës. Njëherazi ka ofruar ndihmë ushtarake dhe mbështetje diplomatike për Izraelin, aleatin e ngushtë.

Sulmet ajrore dhe tokësore kanë rrafshuar një pjesë të madhe të veriut të Gazës duke shtyrë popullatën drejt jugut, zonë ku banorët po jetojnë në kampe të improvizuara. Izraeli vazhdon të godasë ato që beson se janë shënjestra të militantëve të Hamasit, në të gjithë Gazën.

Zemërim në rritje pas vrasjes së pengjeve

Një ditë më parë, zyrtarët ushtarakë theksuan versionin se tre pengjet u vranë gabimisht nga ushtarët izraelitë. Po sipas ushtrisë, më vonë u arrit të kuptohej që ata dhanë shenja se nuk janë të rrezikshëm.

Kjo ishte hera e parë që Izraeli e pranoi se dëmtoi pengje në luftën, të cilën thotë se e zhvillon edhe për t’i shpëtuar të gjallë të gjithë pengjet e rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor, çka nxiti luftën.

Tre të rinjtë rreth 20-vjeç u vranë të premten në qytetin e Gazës, në një zonë ku ishin duke u zhvilluar luftime të ashpra mes ushtrisë izraelite e militantëve të Hamasit. Ushtria bëri të ditur se po kryen hetime në nivelet më të larta.

Izraeli deklaron vazhdimisht se tenton të shmangë dëmtimin e civilëve e akuzon Hamasin se i përdor si mburoja njerëzore. Por, palestinezët dhe grupet e ndihmës, fajësojnë Izraelin se vazhdimisht rrezikon civilët, duke vrarë ata që nuk përbëjnë rrezik, si në Gaza ashtu edhe në Bregun Perëndimor, ku raportohet rritje e dhunës që prej nisjes së luftës Izrael- Hamas.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65705 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE