Në kërkim për tentativë vrasje, një shtetas turk arrestohet në Tiranë!
Një shtetas turk i shpallur në kërkim ndërkombëtar për “Pjesëmarrje në vrasje” e “Vrasje e mbetur në tentativë” u arrestua nga policia në Tiranë, me qëllim ekstradimin drejt Turqisë. Në kuadër të operacionit të koduar “Istanbul”, në pranga ra një 48-vjeçar, i identifikuar si shtetasi Hasan Ozcan, banues në Tiranë. Ai u lokalizua në zonën e Unazës së Re. Ndërkaq, vijojnë procedurat për ta ekstraduar drejt Turqisë ku nga Gjykata e Krimeve të Rënda e Stambollit është dënuar me mbi 3 vite burg.
Njoftimi zyrtar i policisë:
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, bazuar në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Istanbul” për arrestimin e Hasan Ozcan, banues në Tiranë.
Shtetasi turk u lokalizua në Unazë të Re, ndërsa është bërë edhe arrestimi i tij me qëllim dorëzimin drejtësisë turke për vuajtjen e dënimit pasi Gjykata e Krimeve të Rënda në Stamboll, i dha 3 vite e 28 ditë burgim, për veprat penale “Pjesëmarrje në vrasje”, dhe “Vrasja e mbetur në tentativë”, parashikuar nga Kodi Penal i Turqisë.
Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Turqisë.