Mandati i Berishës, sot mblidhet Këshilli i Mandateve/Opozita protestë!
Dhënia e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, në mesditë mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut. Po sot ishte dita kur Berisha duhej të paraqitej para oficerit të Policisë Gjyqësore, veprim që e ka refuzuar sërish, për të katërtën herë. Ndërkaq, po hetohet për korrupsion pasiv në çështjen e privatizimit të klubit sportiv Partizani në Tiranë.
Në shkresën e 12 dhjetorit drejtuar Kuvendit, SPAK-u argumenton se ish-kryeministri nuk zbatoi vendimin e gjykatës, duke mos u paraqitur para oficerit të Policisë Gjyqësore/hetuesit. Pas kësaj kërkese, në Gjykatën Kushtetuese u depozitua një kërkesë e deputetit Oerd Bylykbashi, që të zgjidhet konflikti i kompetencave ligjore mes SPAK-ut e Parlamentit “sa i përket heqjes ose kufizimit të lirisë ndaj një Deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit”.
Po ashtu, në padi thuhet:
Duhet të shpallen të papajtueshme me Kushtetutën, masat e marra nga SPAK-u për Berishën, në lidhje me aferën Partizani, pasi nuk ishte marrë më herët autorizimi nga Kuvendi. Deputetët kërkojnë po ashtu pezullimin e të gjitha masave të marra ndaj Berishës derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Kryesia e Berishës vendosi të mbajë protestë sot dhe të enjen. Ndërsa në mesditë vendoset mbi imunitetin e Berishës në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, të enjten mbahet seanca e fundit për këtë sesion parlamentar. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se ende nuk e ka vendosur nëse do të paraqitet në Këshillin e Mandateve.
Paralelisht me mbledhjen për mandatin e Berishës, sot opozita do të protestojë e po ashtu të enjten kur pritet e fundit seancë plenare e këtij sesioni parlamentar. Gjasat janë që aty të votohet dhënia e autorizimit SPAK-ut për Berishën. Sa i përket mbledhjes së mesditës, ish-kryeministri ende nuk e ka vendosur nëse do të paraqitet. Ndërkaq, pretendimi se SPAK-u duhet të merrte autorizim nga Kuvendi për masën e sigurisë ndaj tij, iu çmua si “i pabazuar në prova”.
Në vendimin e zbardhur nga Gjykata e Apelit që Top Channel e disponon ekskluzivisht, gjykata kujton ndryshimet kushtetuese të 2012-ës për mburojën apo imunitetin e deputetëve dhe konceptin e paprekshmërisë, që në rastin e Berishës nuk është shkelur as nga SPAK-u e as nga Shkalla e Parë. Gjykata e Apelit shpjegon se masa e detyrimit me paraqitje, shpallur për Berishën është një fuqi shtrënguese që nuk heq lirinë personale apo fizike të ankuesit Sali Berisha, por vetëm lirinë e lëvizjes së tij jashtë shtetit.