Shtohen thirrjet për armëpushim në Gaza, kërkesa e vendeve të BE dhe SHBA!
Teksa ushtarët izraelitë vijojnë operacionin për shkatërrimin e Hamasit, qeveria izraelite po përballet me më shumë thirrje për armëpushim, edhe nga aleatët e saj. Thirrjet vijnë pas një seri sulmesh, përfshirë atë ku u vranë 3 pengje izraelite.
Lufta ka rrafshuar pjesën dërrmuese të veriut të Gazës, duke vrarë mijëra civilë dhe zhvendosur popullsinë në jug të territorit të rrethuar.
Popullsia palestineze po vuan nga mungesa e ndihmave humanitare. Të dielën, dhjetëra qytetarë rrethuan kamionët që kishin hyrë nga kalimi i Rafahut, në kufi me Egjiptin. Ata i detyruan mjetet të ndalonin dhe më pas u përpoqën të përvetësonin ngarkesën.
Izraeli ka pranuar të hapet një nga kalimet e tij kufitare për në Gaza, Kerem Shalom, për të lejuar hyrjen e më shumë ndihmave.
Një grup ligjvënësish evropianë u janë shtuar zërave që bëjnë thirrje për armëpushim pas një vizite në kalimin e Rafahut.
Ata janë nga Franca, Suedia dhe Irlanda dhe i përkasin grupit parlamentar të qendrës, “Ripërtëritja e Evropës”.
“Ka një dëshirë të përgjithshme për të vendosur armëpushimin në të mirë të popullsisë civile nga njëra anë dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për pengjet në duart e Hamas nga ana tjetër”, tha Christophe Grudler, euro-deputet francez.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin po zhvillon një tur në Lindjen e Mesme. Edhe pse ka nënvizuar mbështetjen e SHBA për Izraelin, ai ndodhet atje edhe për ta bindur shtetin hebre që të kufizojë dëmet ndaj civilëve.