Tërmet 6.2 ballë në Kinë, mbi 126 të vdekur!
Një tërmet 6.2 ballë i shkallësh i Rihterit ka goditur zonën veriore të rrafshnaltës Qingai-Tibetiane të hënën, pak para mesnatës, duke lënë të vdekur të paktën 126 njerëz, dhe duke plagosur qindra të tjerë, sipas mediave shtetërore kineze.
Autoritetet janë mobilizuar, mirëpo përpjekjet për kërkim-shpëtim janë duke u vështirësuar për shkak të temperaturave nën zero.
Një pjesë e mirë e Kinës është duke u përballur me temperatura shumë të ulëta, ditëve të fundit.
Tërmetet janë të zakonshme në provincat perëndimore kineze, si Gansu, e cila shtrihet në kufirin lindor të rrafshnaltës Qingai-Tibetiane, zonë tektonike aktive.
Tërmeti më vdekjeprurës në Kinë, në dekadat e fundit, është regjistruar më 2008, kur dridhjet 8.0 shkallëshe e kanë goditur Siçuanin, duke lënë të vdekur rreth 70.000 njerëz.
Provinca Gansu ka ndarë 2.8 milionë dollarë për qeverinë lokale për përgjigje emergjente, si dhe ka ndarë 2.600 tenda, 10.400 shtretër, shtroja dhe pajisje tjera për strehim të popullatës.
Ndonëse 72 orët e para pas tërmeteve janë kritike për shpëtim të personave nën rrënoja, tani situata është më e rëndë, pasi në Gansu temperaturat janë në deri -14 gradë Celsius.
Disa linja të rrymës, ujit, transportit dhe komunikacionit janë dëmtuar rëndë.