Ashpërsimi i ligjit të emigracionit, jep dorëheqjen ministri francez i Shëndetësisë, Aurelien Rousseau!
Ministri francez i Shëndetësisë, Aurelien Rousseau dorëzoi dorëheqjen, pas miratimit të ligjit të diskutueshëm të emigracionit në parlament. Gazetat “Le Figaro” dhe “Le Parisien” raportuan dorëheqjen e Rousseau, por mbetet e paqartë nëse kryeministrja Élisabeth Borne e pranoi. Rousseau është pjesë e krahut të majtë të qeverisë dhe njihet si kundërshtar i tekstit më të rreptë ligjor që parlamenti miratoi mbrëmjen e djeshme.
Debati mbi ligjin e emigracionit ka çuar në përçarje brenda qeverisë franceze të qendrës së djathtë të presidentit Emmanuel Macron. Pasi javën e kaluar në Asamblenë Kombëtare, opozita hodhi poshtë propozimin e qeverisë, përpara debatit plenar, një grup deputetësh e senatorësh kërkuan kompromis.
Qeveria po bën lëshime të rëndësishme ndaj konservatorëve për të siguruar miratimin e tyre, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi brenda krahut të saj të majtë. Disa anëtarë të parlamentit nga radhët e Macron-it votuan kundër projektligjit.
Qeveria dëshiron ta shfrytëzojë ligjin për të kontrolluar më mirë emigracionin e për të përmirësuar integrimin. Edhe para votimit në parlament, në media kishte raportime se disa ministra të krahut të majtë të qeverisë po mendonin të jepnin dorëheqjen.
Me masat e reja, emigrantëve u vështirësohet marrja e familjarëve në Francë dhe u zgjatet periudha për të siguruar akses në shërbimet e mbuluara nga shteti. Një draft paraprak i këtij dokumenti dështoi të miratohej për shkak të kundërshtimeve të forta të opozitës.
Grupet për të drejtat e njeriut e kanë dënuar vendimin e marrë duke e quajtur këtë ligj, si më regresivin në dekada. Deputetët e së djathtës ekstreme dhe konservatorët e shprehën përkrahje ndërsa të majtët deklaruan se janë zhgënjyer.
Partia e Emmanuel Macronit e ka humbur shumicën në parlament në zgjedhjet e korrikut të vitit të kaluar. Që prej asaj kohe, qeveria e tij ka pasur vështirësi disa herë që të çojë përpara projektligjet në parlament.