Shmangën detyrimet tatimore, 12 të arrestuar në Tiranë/2 milion euro dëm!
12 persona ranë në prangat e Policisë së Tiranës, të dyshuar se shmangën detyrimet tatimore. 9 prej tyre janë italianë, ndërsa dëmi ekonomik i shkaktuar arrin në vlerën e 2 milion eurove. Nga hetimet e kryera, rezultoi se këta persona kanë mundur të organizojnë një strukturë të mirfilltë kriminale me qëllim të vetëm përfitimin me anë të shmangies së detyrimeve tatimore, duke kryer aktivitet në fushën e shërbimeve të konsulencave.
Njoftimi zyrtar:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve edhe me Drejtorinë për Kriminin Ekonomik në Policinë e Shtetit, DVP Tiranë, në kuadër të Proçedimit Penal Nr.2084 të vitit 2023, pas një pune disa mujore me veprime proceduriale si dhe me metoda speciale të hetimit, finalizoi sot me sukses Operacionin e koduar “collaborazione“.
Në kuadër të këtij operacioni, janë bërë të mundur ekzekutimet e Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka caktuar masë sigurimi “arrest në burg” ndaj 12 shtetasve, (3 shtetas Shqiptarë dhe 9 shtetas Italianë) me iniciale E.D., B.H., E.D., D.M., T.M., D.D., F.P., R.R., U.M., G.R., S.D., A.P.
Nga hetimet e kryera rezultoi se këta persona kanë mundur të organizojnë një strukturë të mirfilltë kriminale me qëllim të vetëm përfitimin me anë të shmangies së detyrimeve tatimore, duke kryer aktivitet në fushën e shërbimeve të konsulencave.
Faturimi i dyshuar fiktiv i këtyre konsulencave është kryer nga subjekte ‘Persona Fizik’ në subjekte SH.P.K (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara), ku më pas këto të fundit (subjekte SH.P.K) këto shërbime i kanë eksportuar (shitur) në shtetin Italian. Duke rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, është bërë e mundur barazimi i tyre me të ardhurat dhe në këtë mënyrë vlera e detyrimit të tatim fitimit për tu paguar del më e ulët, duke shmangur kështu detyrimin real që lind nga tatim fitimi. Në këtë mënyrë janë konsumuar elementë të veprave penale të parashikuara nga nenet 180, 190 dhe 143 të Kodit Penal në Republikën e Shqipërisë.
Nga ky aktivitet kriminal, shtetasit e sipërpërmendur, nëpërmjet subjekteve fiktive, kanë mundur të përfitojnë nga rritja fiktive e shpenzimeve, deri në këtë fazë të hetimeve, një vlerë të llogaritur prej 471,778,384 lekë, duke i shkaktuar kështu një dëm monetar dhe financiar shtetit Shqiptar në vlerën rreth 2 milion Euro. Dyshohet se në këtë veprimtari kriminale janë të përfshirë persona dhe subjekte të tjera, si dhe funksionarë të administratës shtetrore, për të cilat vazhdojnë hetimet dhe veprimet proceduriale për të dokumentuar të gjithë veprimtarin kriminale.
Ky aktivitet kriminal dyshohet që shtrihet edhe në shtetin Italian, aty ku edhe operojnë përfituesit kryesorë, të cilët janë subjekte që përfitojnë të gjithë vlerën e shërbimeve të dyshuara fiktive të konsulencës, e cila përllogaritet mbi 6 milion Euro. Po punohet që hetimet të shtrihen edhe në shtetin Italian.