Historike, Gjykata Europiane i jep të drejtë Superligës/I heq ekskluzivitetin FIFA-s e UEFA-s!
Shkundet futbolli, Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian ka vendosur në favor të Superligës, e cila kishte apeluar monopolin nga UEFA dhe FIFA. Sipas GJED-së, ka abuzim me pushtetin dominues nga dy organet më të larta të futbollit kontinental dhe botëror, të cilat ushtrojnë monopol.
Optimizmi i një dite më parë nga ana e A22, kompania që synon të zhvillojë projektin për turneun e ri, u vërtetua nga vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian.
Rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s për autorizimin paraprak të garave të futbollit mes klubeve, si Superliga, shkelin ligjin e Unionit. Ato janë në fakt në kundërshtim me të drejtën dhe lirinë për të ofruar shërbime. Kompetencat e FIFA-s dhe UEFA-s nuk rregullohen nga asnjë kriter që garanton karakterin transparent, objektiv, jodiskriminues dhe proporcional.
Sipas Gjykatës së BE-së, rregullat që kërkojnë autorizimin paraprak të UEFA-s dhe FIFA-s për krijimin e çdo projekti për një kompeticion të ri janë “të paligjshme”, siç janë edhe parashikimet e sanksioneve për skuadrat dhe lojtarët që do të merrnin pjesë në to.
Në mënyrë të ngjashme, rregullat që i japin FIFA-s dhe UEFA-s kontroll ekskluziv mbi shfrytëzimin komercial të të drejtave të lidhura me këto gara rrezikojnë të kufizojnë konkurrencën, duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre garave për mediat, konsumatorët dhe shikuesit e BE-së.
Më tej, theksohet se organizimi i garave të futbollit dhe shfrytëzimi i të drejtave të medias përbëjnë, megjithatë, veprimtari ekonomike. Ato duhet të respektojnë rregullat e konkurrencës dhe lëvizjes së lirë, edhe nëse veprimtaria ekonomike e sportit karakterizohet nga disa specifika, si p.sh. si ekzistenca e shoqatave me kompetenca rregullatore, kontrolluese dhe sanksionuese.
Gjykata nënvizon gjithashtu se, “paralelisht me këto kompetenca, vetë FIFA dhe UEFA organizojnë gara futbolli”.
Nga grupi fillestar prej 12 klubesh që nisën Superligën në prill 2021, vetëm Reali i Madridit dhe Barcelona mbetën në fushë (Juventus ka filluar procesin e largimit). Mbështetur nga agjencia e marketingut A22, çështja shkoi në gjykatën “Mercantile” në kryeqytetin spanjoll, e cila nga ana e saj e referoi çështjen në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së.