“Çështja Partizani”/ Polici përplas automjetin e Gardës me djalin e gjyqtares Irena Gjoka! (EMRI)
Izidor Heta është polici, i cili u përplas mbrëmjen e kaluar me makinën e Gardës, që po shoqëronte makinën e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, Irena Gjoka.
Heta është efektiv i Policisë Rrugore në Elbasan, ndërsa mësohet se në momentin e aksidentit po udhëtonte me një makinë private me targa zviceriane dhe jo me mjetin e policisë.
Ndërsa shoferi i mjetit ku ndodhej djali i gjyqtares ishte Ardjan Disha. Bazuar në pamjet e kamerave te sigurisë, polici dyshohet të ketë shkaktuar përplasjen. Sipas gardistëve që po eskortonin djalin e Irena Gjokës, policit iu kërkua tre herë që të distancohej dhe të mos hynte në eskortim, por ai nuk u bind. Gardistët pretendojnë se polici udhëtoi pas tyre që nga Rinasi e deri në Selitë, ku ndodhi aksidenti.
Vetë polici, në dëshminë e dhënë të premten në mbrëmje, pretendoi se ishte lagështira në rrugë që e bëri të humbasë kontrollin.
Megjithatë, hetimet, pjesë e të cilave përveç policisë u bë edhe SHISH së bashku me Gardën, pritet të bëjnë zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Më 26 dhjetor Gjyqtarja Gjoka caktoi seancën për shqyrtimin e kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për zëvendësuar masën e sigurisë ‘nga detyrim me paraqitje’ në ‘arrest shtëpie’ ndaj ish kryeministrit Sali Berisha i akuzuar për korrupsion pasiv në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.
Kërkesa erdhi pasi Kuvendi autorizoi një ditë më parë SPAK për arrestin e Sali Berishës, pasi refuzoi disa herë të zbatonte detyrimin me paraqitje para oficeres gjyqësore.
Prej ditësh Garda e Republikës kishte shtuar truprojat për ruajtjen e gjyqtares Irena Gjoka e cila vijon të përballet me sulme verbale të njëpasnjëshme dhe shantazhe publike të Berishës në deklaratat e tij live nëpër konferenca për median që transmetohen live apo dhe në takimet e tij politike me deputetët e Rithemelimit apo militantë.
Si drejtuese e gjykatës së Posaçme, Gjoka kishte pasur deri katër truproja, ndërkohë që ky numër i ishte shtuar në gjashtë që pas vendimit të datës 20 tetor 2023 kur firmosi masën e arrestit ‘detyrim me paraqitje’ dhe ndalim të udhëtimit jashtë për vetë Berishën si dhe masën e arrestit me burg për Jamabër Malltezin. Të dy akuzohen për korrupsion pasiv në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani që pasoi me ndërtimin e 19 kullave dhe një fitim prej 5.4 milionë eurosh dhëndrit të ish kryeministrit Berisha. Malltezi akuzohet edhe për pastrim parash.