Aksident në Vlorë, përplaset një 62-vjeçar/Nga mbrëmë, 1 viktimë e 8 të plagosur në vend!
Aksident rrugor me një të plagosur në Vlorë. Një 62-vjeçar u përplas nga një makinë tip “Benz” me drejtuese një 27-vjeçare. Ngjarja ndodhi sot në lagjen “Partizani” të qytetit bregdetar jugor.
Njoftimi i Policisë:
Një makinë tip “Benz”, me drejtuese E. Ll., 27 vjeçe, ka aksidentuar këmbësorin P. M., 62 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Vlorës, nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e aksidentit.
Ky është i treti aksident që nga mbrëmë në jug të vendit, me një viktimë e 8 të plagosur. Një 65-vjeçar, ende i paidentifikuar u përplas për vdekje rreth orës 03:00 të mëngjesit nga një automjet tip “Volvo” me drejtues një 31-vjeçar me banim në Vlorë. Policia bëri shoqërimin e tij dhe vijojnë hetimet për zbardhjen e shkakut të aksidentit tragjik, më i fundit që rëndon bilancin e viktimave në rrugët tona.
Njoftimi zyrtar:
Rreth orës 03:00, në bypass-in e Fierit, automjeti tip “Volvo” me drejtues O.D., 31 vjeç, banues në Vlorë, ka aksidentuar me pasojë vdekjen 65-vjeçarin, i cili ende nuk është identifikuar.
Drejtuesi i mjetit u shoqërua në komisariat, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin e shtetasit që ka ndërruar jetë dhe për zbardhjen e shkakut të aksidentit.
Policia dha detaje sa i përket aksidentit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin Levan-Tepelenë, me pasojë shtatë të plagosur, mes tyre katër të mitur nga përplasja e dy makinave. Të lënduar mbetën dy drejtuesit, si dhe pasagjerët e automjeteve të moshave 2, 9, 10, 12 e 18-vjeç. Për fat të mirë, të gjithë janë jashtë rreziku për jetën.
Rreth orës 19:50, në aksin rrugor “Levan-Tepelenë”, automjeti tip “Nisan” me drejtues shtetasin R. Sh., është përplasur me automjetin tip “Honday” me drejtues shtetasin S. C.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e mjeteve, 3 pasagjerët në mjetin “Nisan” (18 vjeç, 12 vjeç dhe 10 vjeç) si edhe 2 pasagjerë në automjetin tip “Honday” (9 vjeç dhe 2 vjeç), të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të aksidentit.