SHBA-të: Irani sulmoi një cisternë me lëndë kimike në afërsi të Indisë!
Një dron i lëshuar nga Irani ka goditur një cisternë me lëndë kimike në Oqeanin Indian, mëngjesin e së shtunës (23 dhjetor). Njoftimin e jep Departamenti amerikan i Mbrojtjes. Duke folur për agjencinë Reuters, një zëdhënës i Pentagonit u shpreh:
Anija motorike, CHEM PLUTO me flamur të Liberisë, në pronësi japoneze dhe e operuar nga Holanda, u godit rreth orës 10:00, sipas orës lokale në Oqeanin Indian, 200 milje detare nga brigjet e Indisë, nga një sulm me dron i kryer nga Irani.
Nuk është raportuar për viktima, si pasojë e sulmit me dron ndërsa bëhet e ditur se zjarri i shkaktuar në cisternë u shua menjëherë. Republika Islamike ende nuk ka reaguar për këtë zhvillim.
Ngjarja vë edhe më në pah tensionet e përshkallëzuara rajonale e një rrezik të ri për linjat detare pas sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Amerika e Bashkimi Europian, duke nxitur luftën që vijon prej rreth tre muajsh.
Qeveria iraniane, si edhe forcat militante aleate të saj në Jemen, publikisht kanë kritikuar operacionin ushtarak të Izraelit në Rripin e Gazës.
Lufta nisi më 7 tetor kur Hamasi sulmoi me raketa jugun e qendrën e Izraelit, si dhe mori pengje 240 vetë. Në shtetin hebraik u vranë mbi 1 mijë e 200 persona. Në 2 muaj e gjysmë luftime, palët ranë dakord vetëm për një armëpushim disa ditor, gjatë të cilit u liruan disa pengje nga Hamasi, të këmbyer me të burgosur palestinezë që mbaheshin në burgjet izraelite.
Përveçse në Rripin e Gazës, situata paraqitet e tensionuar edhe në Bregun Perëndimor. Nga komuniteti ndërkombëtar janë shtuar thirrjet për një armëpushim humanitar në Gaza.