Zjarri masiv në Lushnjë, Brataj: Situata po normalizohet, po kontrollohet në banesa për të tjerë qytetarë!
Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj tha për mediat se situata po normalizohet në zjarrin në qendrën tregtare në Lushnjë.
“Situata është duke u normalizuar. Nuk besoj se do të ketë pasoja. Nëse do të ketë janë ekipet në gatishmëri si spitali i Fierit, do të kontrollohet çdo banesë”, tha Brataj.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka dhënë një prononcim për mediat pas zjarrit që përfshiu qendrën tregtare “Metropol” në pallatin 12 katësh. Duke folur për situatën, Balla tha se rreziku nuk ka kaluar ende pasi ende ka vatra të vogla zjarri në godinë.
Ai shtoi se problem mbetet temperatura e godinës ku po punohet për shkak të zjarrit që përfshiu katin e tretë.
“Falë ndërhyrjes dhe koordinimit të mirë mes forcave zjarrfikëse, Shqiponja dhe RENEA të cilat për shkak të profesionalizmit arritën të ndërhyjnë në kohë në banesa për të cilat u informuam që nuk ka banorë por pas hyrjes me forcë djemtë e RENEA-s gjetën njerëz në këto banesa.
Ato tani janë jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen në spitalin e Lushnjës. Rreziku nuk ka përfunduar sepse në momentin që flasim ka ende disa vatra më të vogla të ndërtesës. Problem mbetet temperatura e godinës ku po punohet është shumë e lartë për shkak të zjarrit që ka qene në katin e tretë”- tha Balla ndër të tjera.
Forcat RENEA i janë bashkuar aksionit për shpëtimin dhe evakuimin e banorëve të bllokuar si pasojë e zjarrit që ka përfshirë qendrën tregtare që prej orës 14:40 të ditës së sotme.
Siç shihet në pamjet e publikuara, ky është një moment kur nxirren 2 qytetare të moshuara dhe më pas dërgohet në autoambulancë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Deputeti i PS, Erion Braçe ka shpërndarë pamjet dhe ka falënderuar efektivët e RENEA-s për kontrollet që bëjnë në çdo banesë për persona që mund të kenë mbetur të bllokuar.