E krahasoi me Hitlerin, Netanyahu i përgjigjet Erdogan: I fundit që flet për moral!
Benjamin Netanyahu i është përgjigjur presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili e krahasoi atë me Hitlerin.
Në një postim në Tëitter, kryeministri izraelit tha se “Erdogani, i cili kryen gjenocid kundër kurdëve, i cili mban një rekord botëror për burgosjen e gazetarëve për kundërshtimin e sundimit të tij, është personi i fundit që mund të na mësojë moralin”.
“IDF është ushtria më morale në botë që lufton dhe shkatërron organizatën terroriste më të urryer dhe mizore, Hamas-ISIS, e cila ka kryer krime kundër njerëzimit dhe Erdogan e lavdëron dhe pret zyrtarët e saj të lartë”, shtoi kryeministri izraelit.
Më herët, Erdogan tha se Netanyahu nuk ishte ndryshe nga diktatori nazist Adolf Hitler dhe i krahasoi sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës me trajtimin e nazistëve ndaj hebrenjve gjatë Holokaustit.
Numri i palestinezëve të arrestuar nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor që nga 7 tetori është rritur në afro 4.800, transmeton Anadolu.
Për këtë çështje është dhënë deklaratë e përbashkët me shkrim nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë dhe Komiteti për Çështjet e të Burgosurve Palestinezë, i lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës.
Forcat izraelite arrestuan 12 persona të tjerë në bastisjet e kryera në Tulkarm, Ramallah, Betlehem dhe Khalil mbrëmë dhe mëngjesin e sotëm. Numri i palestinezëve të arrestuar në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor që nga 7 tetori është rritur në 4.795.
Gjatë fushatës së arrestimeve, ushtarët izraelitë rrahën dhe abuzuan palestinezët dhe dëmtuan shtëpitë e tyre dhe pronat e tjera, thuhet në deklaratë.