Gërdeci, Shkëlzen Berisha: Nuk kam nisur asnjë faks!

vovalbania December 27, 2023 0 koment 5 Mund të lexoni në minuta.
Gërdeci, Shkëlzen Berisha: Nuk kam nisur asnjë faks!

Gjyqi Gërdeci ku ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është në gjykim për “Shpërdorim detyre”, sot dëshmoi Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha. Në dalje, foli për gazetarët që e pyetën edhe për njohjen me Mediun para e pas shpërthimeve të 15 marsit 2008 me 26 viktima e 300 të plagosur, në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec të Tiranës.

– Prokuroria tha sot se ju keni pasur 44 telefonata me Mihail Delijorgjin në një hark të shkurtër kohor…

Berisha: Për ta specifikuar, të gjitha telefonat janë kryer pas vitit 2008. Me sa di unë, praktika dhe puna në atë punishte ka filluar më 2007-ën. Kështu që nuk ka pasur asnjë lidhje me çështjen në fjalë. Siç e shpjegova atje, e vetmja telefonatë që ka patur lidhje me çështjen ne fjalë ka patur lidhje me të ndjerin, burrin e tezes sime, për të ditur fatin e tij. Nuk e kam mohuar kurrë që kam komunikuar.

-Po ne lidhje me takimet qe keni patur me zoton Bumçi dhe zotin Mediu kane pasur lidhje me Gërdecin.

Berisha: Sikundër jua kam thënë edhe para një vitit kur kemi dale këtu dhe jem pyetur për të njëjtat gjëra . të gjitha takimet kanë qenë të çështjeve personale, politike të natyrave tjera. Asnjë lidhje as me ketë çështje dhe as me VKM të tjera.

-Po lidhja juaj me z.Delijorgji, cila ka qenë?

Siç e dini ju, zoti Delijorgji, përveçse i përfshirë në këtë çështje ka qenë nje sipërmarrës ndërtimi dhe kjo është mënyra si e kam njohur unë.

-Eshtë përfolur shumë një faks i dërguar nga Ministria e Drejtësisë me mbishkrimin “Për Shkëlzen Berishën”. Asnjëherë nuk ka patur qartësi mbi këtë çështje. A keni bërë ju kallëzim në prokurori?

Berisha: Qartësia ka qenë e plotë që në fillim. E kam thënë, ky faks as nuk është nisur nga adresa ime, as nuk ka mbërritur në adresën time, as nuk e njoh atë që e ka nisur dhe as atë që e ka pritur. I takon prokurorisë që të na thotë nëse faksi është ose jo origjinal. Nëse është i falsifikuar, duhet të thotë se kush e ka falsifikuar. Nëse është origjinal, duhet ta thotë kush e ka shkruar.

-Cila është njohja juaj me Fatmir Mediun, gjatë kohës së Gërdecit dhe pas kohës së Gërdecit. Çfarë raporti keni më të? Ka një çështje të veçuar për Gërdecin e të municioneve, a jeni thirrur nga SPAK-u për pjesën tjetër të veçuar?

Berisha: Qoftë zotin Bumçi dhe zotin Mediu i kam pasur miq përpara se te ishin ministra, i kam patur miq gjatë kohës që kanë qenë ministra dhe i kam miq edhe sot që nuk kanë më të njëjtin funksion. Sa i takon pyetjes së dytë, kam qenë këtu para një viti dhe kur dola, kam dhënë arsyen.

-Prokuroria thotë se keni patur disa komunikime me zotin Mediu.

Berisha: Siç e kam thënë edhe me përpara, kam diskutuar një çështje personale të zotit Mediu.

-Pranuat që e keni takuar zotin Bumçi dhe zotin Mediu në zyrë, çfarë keni diskutuar?

Berisha: I kam takuar përpara se të mbanin funksionin, gjatë funksioneve, por edhe sot që nuk kanë asnjë funksion. Bisedat jane të gjitha biseda që bëhen me miq, siç mund të bëni edhe ju biseda me miqtë tuaj.

-Tani kanë kaluar disa vite nga çështja e Gërdecit, në këndvështrimin tuaj, meqenëse ju jeni pyetur, a është hetuar siç duhet kjo tragjedi dhe çfarë është tragjedia e Gërdecit sipas jush?

Berisha: Nëse është hetuar siç duhet. Unë nuk jam as gjykatës e as prokuror që ta them. Ajo që mund t’ju them është që politizimi i tejskajshëm i kësaj çështjeje, sigurisht që nuk e ka ndihmuar të vërtetën, as nuk ka ndihmuar hetimin. Kjo është ajo që mund t’ju them.

Mund të them edhe diçka tjetër. Akuza ka thirrur këtu 71 dëshmitarë. Dhe këtë 71 dëshmitarë ndahen në tre kategori: familjarë të prekur nga tragjedia, punonjës të shtetit ose punonjës të kompanisë që ka pasur lidhje me procesin e demontimit. Unë jam i vetmi dëshmitar që nuk kam asnjë lidhje me këto tre kategori.

Kam ardhur këtu para një viti dhe ju kam dhënë dëshminë time. Kur dola ju thashë se dëshmia ime nuk ka asnjë lidhje me akuzën e ngritur në rastin konkret. Asgjë nga ato që u thanë aty, nuk kanë lidhje me akuzën. Nuk kam asnjë lloj informacioni për të thënë për akuzën e që mund t’i shërbejë akuzës. Nuk kam asnjë lidhje me tre kategoritë që u përmendën. E konsideroj absolutisht një teatër politik, në kontekstin kur në mëngjes thirret djali, në drekë gjykohet babai e në darkë ekzekutohet masa e sigurisë.

-Ama ka një faks që me mbishkrimin në emrin tuaj?

Berisha: Unë jam thirrur para një viti dhe kam dhënë dëshminë time. Tani, unë atë që kam thënë para një viti, ua kam thënë edhe juve. Nuk di kush e ka nisur, nuk di kush e ka pritur. Nuk është nisur nga adresa ime, nuk ka ardhur në adresën time. Këtë pyetje, nëse ju vertet doni të bëni transparencë, duhet t’ia drejtoni prokurorit. Pse nuk e gjen se kush e ka shkruar, 15 vjet. Kjo është shumë transparente si përgjigje.

-Zoti Berisha, meqenëse përmendët babain, një nga kërkesat e SPAK-ut është arresti shtëpiak, me mbikëqyrje policore dhe ndalimi që të komunikojë me të tjerë që nuk bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të. A do ta takoni babanë tuaj?

Berisha: Ky vendim është grotesk, përdorimi politik i prokurorisë ka kapur nivele groteske. Tani unë po ju bej një pyetje të gjithëve: Më jepni një vend, jo në Europë, por në botë, që quhet vend i lirë apo demokratik e ku kryetari i opozitës mbahet në arrest shtëpie pa të drejtë komunikimi, ndërkohë që nuk ka akuzë.

Donald Trump ka 34 akuza dhe nuk ka asnjë masë sigurie, Sali Berisha nuk ka asnjë akuzë dhe ndaj tij deri tani janë ngritur tre masa sigurie, duke e çuar në arrest shtëpie dhe deri në pamundësi komunikimi. Qëllimi politik këtu është jashtëzakonisht i qartë.

Përdorimi politik i prokurorisë është i turpshëm, janë pikërisht masat e sigurisë, prokuroria mund të hetojë çfarë të dojë, gjykata mund të hetojë çfarë të dojë. Por, masat e sigurisë ndaj një lideri opozite, i cili sipas tyre nuk duhet të takohet me njerëz, nuk duhet të takohet me asnjëri, është groteske.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65798 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE