Vula e PD-së, sot protesta e opozitës para Gjykatës së Lartë!

vovalbania December 27, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Vula e PD-së, sot protesta e opozitës para Gjykatës së Lartë!

Për sot, opozita ka thirrur një protestë para Gjykatës së Lartë, në prag të vendimit për çështjen e vulës së Partisë Demokratike. Kjo protestë u lajmërua që më 18 dhjetor nga Sali Berisha, duke folur para mbështetësve të mbledhur te Kryesia e Kuvendit ndërsa ishte mbledhur Këshilli i Mandateve për kërkesën e SPAK-ut, që t’i hapej rruga arrestimit të tij.

Me Edi Ramën kemi hesape të rënda për të larë. Edi Rama është sjellë ndaj nesh, ndaj jush njëlloj si nazistët në kampet e përqendrimit me hebrenjtë. Hebrenjve, ata iu hiqnin emrat dhe u jepnin nga një numër e ditë, javë, muaj, ata thërriteshin me numra. Harronin emrat e tyre. Por, ne e garantojmë Edi Ramën se do ta paguajë shumë shtrenjtë atë që ka bërë dhe përpiqet të bëjë me identitetin tonë. Më 27 dhjetor, çdo demokrate dhe demokrat, përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë. Ne do qëndrojmë! Ne do fitojmë!

Gjykata e Lartë pritet të shprehet për rekursin që grupimi i ish-kryeministrit Sali Berisha depozitoi për vendimin e 3 marsit, ku Apeli i Përgjithshëm ktheu në shkallë te parë çështjen e logos dhe vulës. Në mars të këtij viti, Gjykata e Apelit vendosin rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në shkallë të parë me trupë tjetër gjykuese.

Kujtojmë se gjyqtari Agron Zhukri njohu Kuvendin e Berishës të 11 dhjetorit 2021 si legjitim, ndërsa Enkelejd Alibeaj, në atë kohë kryetar i komanduar i PD-së, ankimoi vendimin.

Nga ana tjetër, Gjykata e Tiranës vendosi  pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit, duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi.

Gjyqtari Niko Rapi konstatoi se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 Dhjetorit, nuk mund të zhvillohet e të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mbajtur më pas apo Statut i ndryshuar.

Në këtë mënyrë Statuti i dalë më 2 Shtator, përmes të cilit Lulzim Basha u caktua edhe Kryetar i Grupit Parlamentar nuk është njohur nga gjykata. Grupi i deputetëve të mandatuar nga Këshilli Kombëtar i thirrur nga Gazment Bardhi kërkoi nga gjykata pezullimin e çështjes, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.

Me statutin e 2 shtatorit, Basha përqendroi pushtetin në duart e tij, duke marrë jo vetëm postin e kryetarit të partisë, por edhe të kryetarit të grupit parlamentar. Një tjetër ndryshim ishte përjashtimi nga anëtarësia e demokratëve që kanë garuar për subjekte të tjera zgjedhore, pra mbështetësit e Sali Berishës që kandiduan në zgjedhjet e 14 Majit për koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65858 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE