Amerika miraton ndihmën e fundit ushtarake për Ukrainën të momentit!

vovalbania December 28, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Amerika miraton ndihmën e fundit ushtarake për Ukrainën të momentit!

Shtëpia e Bardhë miratoi një tjetër ndihmë ushtarake për Ukrainën, në vlerë 250 milion dollarë. Në paketën e fundit përfshihen armë për mbrojtje ajrore, artileri, municione e armë anti-tank, siç njoftuan zyrtarët amerikanë. Por, vlen të theksohet se kjo është ndihma e fundit që mund të niset prej SHBA-ve në Ukrainë, nëse Kongresi Amerikan nuk miraton ndihmë shtesë.

Ukraina ka paralajmëruar se lufta dhe financat e saj publike do të jenë në rrezik të madh, nëse ndalen ndihmat prej Perëndimit. Po ashtu, Ukraina ka regjistruar ndryshim të vogël të linjës së kontrollit, pas nisjes së kundërofensivës pranverore e tani po përballet me rënie graduale të ndihmave prej aleatëve në Uashington dhe Europë.

Ndonëse mbështetja për Ukrainën është e madhe në Kongresin Amerikan, një marrëveshje për dërgim të mëtejshëm të armëve është bllokuar prej republikanëve, të cilët insistojnë që duhet ndarë më shumë buxhet për të forcuar kontrollin e kufijve të Amerikës me Meksikën.

Një paketë emergjente për shpenzime, që përfshin ndarjen e 50 miliardë dollarëve për Ukrainën dhe 14 miliardë dollarëve për Izraelin, nuk është miratuar në Senatin Amerikan muajin e kaluar, pasi çdo republikan ka votuar kundër.

Edhe një vizitë e realizuar së fundi në SHBA nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk rezultoi me sukses në këtë drejtim.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u shpreh:

Eshtë e rëndësishme që Kongresi të veprojë sa më shpejt, për të çuar përpara interesat tona kombëtare, duke e ndihmuar Ukrainën që të mbrojë veten e të ardhmen e saj.

Më herët gjatë këtij muaji, një paketë ndihme për Ukrainën e Bashkimin Europian është bllokuar nga Hungaria.

Ukraina po përballet me deficit në vlerë 43 miliardë dollarë dhe zyrtarët ukrainas frikësohen se mund të vonojnë pagat e pensionet për punonjësit qeveritarë, nëse nuk pranohet ndihmë shtesë prej Perëndimit.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE