Asistent virtual në e-Albania, Rama: Edhe me zë e figurë brenda 2024-ës!
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “sikundër kemi lajmëruar më parë në vigjilje të Vitit të Ri do të vëmë në dispozicion të qytetarëve shërbëtorin e secilit, një shërbëtor publik, një asistent që do të jetë në dispozicion në çdo orë të ditës e të natës pavarësisht ditës së punës apo pushimit për t’i ndihmuar qytetarët që në ndërveprim me e-Albania të marrin shërbimet e tyre pa pasur nevojë për ndihmë tjetër”.
Gjatë prezantimit të Shërbëtorit Publik të Inteligjencës Artificiale, Asistenti Virtual 1.0 i çdo qytetari në e-Albania, Kryeministri Rama tha se “sot është një moment i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të komunikimit mes qytetarëve dhe të gjitha institucioneve në funksion të shërbimeve”.
Eshtë edhe një shembull kuptimplotë i një epoke të re që ka përfshirë të gjithë botën dhe në të cilën ne duam të bëjmë gjithçka për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm të Inteligjencës Artificiale në funksion të cilësisë së shërbimeve, transparencës së vendimmarrjeve, në funksion të pastërtisë së së të gjithë proceseve të brendshme të institucioneve, të gjithë ngrehinës sonë shtetërore duke filluar nga trupi ligjor i Republikës së Shqipërisë.
Ne e dimë shumë mirë që në shumë raste përdoruesit e sistemeve digjitale të kenë probleme që nuk lidhen me vetë sistemet, por lidhen me hapa të gabuar në procedurat e aplikimit. Kjo ndodh kur aplikojnë në Kadastër ku ndërveprimi është i digjitalizuar dhe nuk ka asnjë ndërveprim fizik kjo ndodhë edhe kur aplikojnë për dokumente çfarëdo.
Ambicia jonë është që këtë shërbëtor të personalizuar të qytetarit ta shtrijmë edhe në platformën e bashkëqeverisjes ashtu sikundër dua ta nënvizoj paraprakisht dhe pastaj Linda do e shpjegoj më në detaje asistenti që sot hyn në marrëdhënie me qytetarët përmes ndërveprimit me shkrim po përgatitet që pas një periudhë njohje me ta të hyjë në ndërveprim edhe me zë dhe figurë edhe madje mos të jetë më thjesht ndihmësi që i drejton ata në procesin e aplikimit, por të jetë ai që e merr shërbimin për ta.
Nuk do të jetë e largët dita, por besoj brenda vitit që po hyn kur qytetari do të kërkojë shërbimin dhe të gjithë proceset që i bën vetë qytetari me ndihmë e këtij shërbëtori publik personal t’i bëjë vetë Shërbëtori dhe qytetari të marr dokumentin përkatës e përgjigjen përkatëse pa asnjë ndërveprim fizik nga ana e tij.
Rama prezantoi dhe Enion, të cilin e cilësoi si “koka” e ekipit të AKSHI-t për Inteligjencën Artificiale.
Enio është “koka” e gjithë punës së ekipit të AKSHI-t për Inteligjencën Artificiale. Ka mbaruar studimet për Inteligjencë Artificiale në një nga shkollat më të mira të botës, në King’s College. Ka vendosur që të vijë në Shqipëri, pavarësisht ofertave të shumta që ka pasur atje. Deri tani – je i kënaqur besoj, – nuk ka tundime për t’u larguar, përkundrazi, po bën përpjekje që edhe miqtë e tjerë që i ka njohur në shkollë, t’i sjellë këtu pavarësisht se mund të mos jenë edhe shqiptarë fare. Megjithatë me talentin që ka, unë jam i bindur që edhe po s’erdhën ata, do t’i sjellë në formë artificiale këtu të gjithë.
Asistenti virtual 1.0, do të vihet në vigjiljen e ndërrimit të viteve, në shërbim të qytetarëve teknologjia më e re, e cili është ideuar për të lehtësuar të përditshmen e tyre, duke thjeshtuar dhe shpejtuar ndërveprimin me shtetin.
Brenda vitit 2024 do të jetë “live” edhe Asistenti Virtual 2.0, i cili do të shfaqet edhe me zë e me figurë dhe do ta bëjë vetë të gjithë procesin e aplikimit për llogari të qytetarit. Aplikimi i teknologjisë më të re është mundësuar falë bashkëpunimit të ekipit të AKSHI-t për inteligjencën artificiale me gjigantin botëror të teknologjisë Microsoft. Ky asistent nuk është thjeshtë një program kompjuterik, por është udhërrëfyesi dhe ndihmësi i qytetarëve 24 në 7.