Ofensiva izraelite në Gaza, dhjetëra palestinezë të vrarë!
Forcat izraelite bombarduan qytetet, fshatrat dhe kampet e refugjatëve në Gazë deri në orët e para të ditës së sotme duke vrarë dhjetra persona gjatë sulmeve ajrore dhe tokësore kundër Hamasit. Sulmet janë shtrirë tashmë në pothuajse të gjithë territorin dhe kanë detyruar me mijëra persona të largohen nga shtëpitë e tyre apo nga objektet ku strehoheshin.
Nga luftimet janë vrarë mbi 20 mijë palestinezë dhe rreth 85% e popullsisë prej 2.3 milion banorësh janë tashmë të zhvendosur. Një pjesë e mirë e Gazës është rrafshuar, shpopulluar dhe izoluar për javë të tëra nga pjesa tjetër e territorit. Shumë mendojnë se një fat i ngjashëm mund t’i presë edhe në jug.
Izraeli është zotuar ta eliminojë Hamasin, një organizatë e konsideruar terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Europian. Hamasi vazhdon të bëjë rezistencë të fortë, madje edhe në veriun e Gazës. Izraeli është zotuar gjithashtu të lirojë mbi 100 persona që ende mbahen peng pas sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 persona, shumica civilë.
Izraeli ka refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, duke thënë se në këtë mënyrë do t’i jepej një fitore Hamasit. Ndërsa i ofrojnë mbështetje jetike ofensivës izraelite, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit të marrë masa më të mëdha për të mbrojtur jetët e civilëve dhe për të lejuar hyrjen e më shumë ndihmave.
Por, punonjësit e ndihmave thonë se sasitë e ushqimeve, karburantit dhe ilaçeve që hyjnë janë shumë më pak se ç’nevojitet dhe se një në katër palestinezë në Gazë janë duke vuajtur nga uria, sipas të dhënave të OKB-së.
Ndërsa Izraeli po zgjeron ofensivën, palestinezët e larguar janë mbledhur drejt zonave përgjatë kufirit me Egjiptin dhe bregdetit të Mesdheut, që mbushur tashmë me tenda. E megjithatë, Izraeli vazhdon të sulmojnë objektiva në këtë zonë, të cilat i quan militante.
Ushtria izraelite fajëson për numrin e lartë të viktimave civile Hamasin, që vendos luftëtarë, tunele dhe raketahedhëse në zona me popullsi të dendur. Megjithatë, ushtria izraelite rrallë komenton për sulme të caktuara.