Vendimi i GJKKO-së për Sali Berishën shtyhet për më 30 dhjetor!
Gjykata e Posaçme e shtyu për të shtunën në mesditë vendimin mbi kërkesën e SPAK-ut për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Sali Berishës, në “Arrest shtëpie me mbikëqyrje policore”. Prokuroria kërkon që Policia e Shtetit të sigurojë zbatimin e vendimit. Ish-kryeministri po hetohet për korrupsion pasiv lidhur me privatizimin e klubit sportiv Partizani.
Ndërsa në seancë dërgoi avokatët, më herët gjatë ditës, Sali Berisha reagoi në një konferencë shtypi ku sulmoi SPAK-un dhe kryeministrin Rama. Numrit një të Prokurorisë së Posaçme iu referua si “majtist i pandreqshëm”. Sa i përket veprimeve të avokatëve të tij, Berisha tha se nuk iu ndërhyn. Pas shtyrjes së radhës lidhur me masën e kërkuar nga SPAK-u për Berishën, avokati Genc Gjokutaj përsëriti se do të kërkojnë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Berisha u shpreh:
Pluralizmi, sot në thelb nuk ekziston. Në fasadë ekziston. Por pluralizëm në fasadë, përveç Shqipërisë dhe mundet Koresë së Veriut, kanë pasur të gjithë diktaturat komuniste. Për shembull Polonia kishte Partinë Agrare që qeveriste me Partinë e Punës.
Pse them fasadë?!
Në qoftë se ti, forcës politike opozitare, i mohon të drejtat kushtetuese të ushtrimit të sovranitetit të brendshëm të vendit; në qoftë se si, opozitës së vendit i mohon të drejtën për të përcaktuar kryetarin e saj; në qoftë se si opozitës i mohon të drejtën për të paraqitur ligje në parlament, rezoluta; në qoftë se ti opozitës në vend i mohon për të ngritur komisione hetimore; dhe kulmimi i të gjithave, në qoftë se e skualifikon atë në mënyrën më të paimagjinueshme, nga subjekt me të drejtë të pakushtëzuar për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese në subjekt me të drejtë kur të dua unë, atëherë nëse ti merr vulën dhe bën pazar me logon e saj, nuk e regjistron në fletën e votimit, nuk regjistron kryetarin e saj por e burgos, e arreston, e lë në arrest shtëpie, atëherë çfarë mbetet këtu nga pluralizmi?!