Mbrojtja e Berishës: Dorëzuam me postë kërkesën tjetër për përjashtimin e Irena Gjokës!
Avokatët e Sali Berishës konfirmuan se kanë dërguar kërkesën e radhës për përjashtimin e gjykatëses Irena Gjoka, sipas tyre “e kapur në konflikt të rëndë interesi”. Avokati Sokol Mëngjesi tha se kërkesa është dërguar dje me postë, në orën 15:30. Ai tha se sot mori vendimin e parë të gjykatëses Rudina Palloj për refuzimin e përjashtimit.
Mëngjesi tha se ka njoftuar sekretarinë për kërkesën e dytë të nisur me postë.
Por, pres marrjen e provave për mënyrën si është shortuar Palloj për të marrë vendimin dhe mendimin e gjyqtares Gjoka për kërkesën.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO është mbledhur që të vendosë për ndryshimin e masës së arrestit për ish-kryeministrin Sali Berisha, nën hetim për korrupsion pasiv në privatizimin e Klubit Sportiv “Partizani” në Tiranë, në truallin e të cilit janë ngritur pallate.
Në tre seanca u dëgjuan të gjithë, por as dy ditë më parë, GJKKO-ja nuk doli me një vendim mbi kërkesën e SPAK-ut që pasi mori autorizimin e Kuvendit të Shqipërisë, pret që për Berishën të caktohet “Arrest shtëpie me mbikëqyrje policore”. Në tetor, për ish-shefin e qeverisë u vendosën masat “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim për daljen jashtë vendit”, por Berisha refuzoi t’i respektonte duke i cilësuar “antikushtetuese”.
Avokatët e Berishës kërkojnë refuzim të prokurorisë, ndërsa të enjten, ata dhanë prova të tjera dhe kërkuan një CD për të marrë të gjithë debatin gjyqësor. Në seancën me dyer të mbyllura, u tha se “Berisha nuk ka pasur asnjë tentativë për t’u larguar, ndaj kjo kërkesë duhet të kundërshtohet”.