Nga 1 janari, Belgjika merr presidencën e BE-së/Mes prioriteteve, zgjerimi i Unionit!

vovalbania December 30, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Nga 1 janari, Belgjika merr presidencën e BE-së/Mes prioriteteve, zgjerimi i Unionit!

Nesër, Spanja përmbyll kryesimin e Bashkimit Europian (BE) për t’ia kaluar stafetën Belgjikës, vendi ku ndodhet selia e Bashkimit Europian e që ishte i pari në rolin e kryesuesit të Unionit. Nga 1 janari 2024, e merr presidencën për të 13 herën me radhë.

Ky kryesim i Belgjikës ndodh në një moment kyç për BE-në pasi nga fundi i kësaj presidence, mes datave 6 dhe 9 qershor do të zhvillohen zgjedhjet europiane.

Për Belgjikën, dita e zgjedhjeve do të jetë edhe më e rëndësishme pasi në të njëjtën datë me votimet për Parlamentin Europian do të zhvillohen edhe zgjedhjet politike, rajonale e lokale. Pavarësisht kësaj, qeveria e Belgjikës premton se do të ketë kapacitetet e duhura dhe fokusin e mjaftueshëm për ta kryer me sukses detyrën e kryesueses së radhës.

Në dokumentet ku përmenden prioritetet e gjashtë muajve të parë, theksohet se “Belgjika do të çojë përpara punën në procesin e zgjerimit që është në vijim”.

Presidenca belge do të monitorojë proceset që janë në vazhdim, me të gjitha vendet kryesore, në përputhje me metodologjinë ekzistuese, bazuar në merita individuale dhe progresin e secilit kandidat në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Do të inkurajojmë integrimin në BE duke promovuar reformat e domosdoshme transformuese në fushat kyçe, posaçërisht sundimin e ligjit, institucionet demokratike, lirinë e mediave dhe të drejtat themelore.

Më 1 maj të vitit 2024 do të shënohet 20-vjetori i zgjerimit më të madh të Bashkimit Europian. Si kryesuese e BE-së, Belgjika e vlerëson këtë si hap të madh drejt bashkimit dhe prosperitetit të kontinentit të Europës.

Belgjika do të merret edhe me përcaktimin e një axhende strategjike për zhvillimin e BE-së ku zgjerimi do të ketë vend të rëndësishëm. Mbi bazën e kësaj axhende, pritet të vendoset baza për veprimin e Unionit në periudhën 2024-2029.

Paralelisht, presidenca do t’i kushtojë vëmendje të veçantë kapaciteteve të BE-së për të integruar anëtarë të rinj dhe të avancojë reflektimet për reformat e brendshme që nevojiten për një zgjerim të suksesshëm në të ardhmen.

Sa i përket procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, gjatë kryesimit të Belgjikës do të mund të nisin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, sipas vendimit të miratuar në takimin e fundit në dhjetor të Këshillit Europian. Bosnjë-Hercegovina do të vlerësohet në muajin mars, për të parë nëse i ka përmbushur apo jo disa kushte, që edhe ky vend ballkanik të fillojë negociatat e anëtarësimit.

Belgjika ka paralajmëruar se do të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit me fqinjët europianë që nuk janë në BE, nga Zvicra e deri te Ballkani Perëndimor, për t’u përballur me sfidat e përbashkëta si siguria e furnizimit me energji dhe çështjet e emigracionit. Po ashtu, Belgjika do ta mbajë fokusin e BE-së në forcimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëveprimin me NATO-n.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65688 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE