“U prehtë në paqen që nuk e lejuan të kishte”/ Vetëvrasja e 41-vjeçares, reagon Elisa Spiropali!
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar sot pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Durrës, ku një 41 vjeçare, nënë e katër fëmijëve, vrau veten për shkak të bullizmit në rrjetet sociale. Ajo theksoi se denoncimet për krimet kibernetike dhe kërcënimet online duhet të trajtohen me seriozitet maksimal nga organet ligjzbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë.
Një grua 41 vjeçe, nënë e katër fëmijëve, raportohet se vrau veten për shkak të denigrimit dhe bullizmit në rrjete sociale. Ky rast tmerrësisht i rëndë kërkon drejtësi! Dënimi maksimal i autorit ose autorëve për shkaktim/nxitje të aktit të vetvrasjes është më e pakta që duhet të ndodhë!
Është momenti të ndërgjegjësohemi se gjuha e denigrimit dhe e dhunës në rrjete sociale prek në mënyrë shproporcionale gratë dhe vajzat, ushqehet nga kultura e dhunës patriarkale që i izolon gratë në këndin e ‘turpërimit’ kolektiv, duke u sjellë trauma të rënda individuale, familjare dhe shoqërore.
Gjuha e poshtërimit dhe e denigrimit të grave gjendet rëndom në median vizive, të shkruar dhe online, ku sulmet kalojnë pa u analizuar dhe pa u dënuar nga ligji dhe shoqëria.
Denoncimet për krime kibernetike dhe kërcënime online duhet të trajtohen me seriozitetin maksimal nga organet ligjzbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë.
Legjislacioni për mediat online, krimet kibernetike, kodi penal etj, kanë nevojë për ndërhyrje imediate që kultura e shpifjes dhe e denigrimit të luftohet pa asnjë rezervë nga ligji dhe të mos kthehet në normalitet shoqëror. Ngushëllime familjes së të ndjerës! U prehtë në paqen që nuk e lejuan të kishte në jetë!