Lumë ofertash për talentin shqiptar të Serisë A, klubi kërkon ta mbajë në ekip…
Vitet e fundit është shtuar numri i futbollistëve shqiptarë që po bëjnë mirë në kampionatin italian të futbollit. Së fundmi ka dalë një tjetër emër në skenë. Transferimi i Stiven Shpendit nga Çezena te Empoli në Serinë A, ishte një nga lëvizjet e rëndësishme të merkatos së futbollistëve shqiptarë gjatë verës. Djaloshi i talentuar shihet si një futbollist me të ardhmen e sigurt në futbollin e rëndësishëm, edhe pse për momentin nuk po luan aq me rregullsi me klubin e tij. Pikërisht mosaktivizimi me skuadrën e Empolit ka shtyrë ekipe të tjera të mendojnë për djaloshin.
Mediat italiane bëjnë të ditur se në adresë të tij kanë ardhur oferta të ndryshme, sidomos nga ekipet e Serisë B. Ata kanë kërkuar në huazim lojtarin për t’i dhënë mundësinë që të luajë me rregullsi dhe të tregojë se sa vlen. Megjithatë, “Quotidiano Sportivo” bën të ditur se qëndrimi i Empolit për të është i prerë dhe i pandryshuar. Klubi nuk ka ndër mend të largojë futbollistin pasi e sheh si alternativë shumë të vlefshme për repartin e avancuar dhe ka bindjen se me kalimin e kohës, Shpendi do të arrijë të tregojë se çfarë di të bëjë edhe në elitën e futbollit italian.