Nesër aktivitetet anti-Dejton, avionë luftarakë amerikanë fluturojnë në Bosnje!
Dy avionë luftarakë F-16 të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara po kryejnë stërvitje mbi qytetet Brçko e Tuzla në pjesën veriore të Bosnjës. Fluturimet shënohen një ditë para kremtimit të një feste antikushtetuese në Republikën Sërpska.
Trajnimi dypalësh tregon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj integritetit territorial të Bosnjës në vazhdën e aktiviteteve ndarëse dhe anti-Dejton.
Shtetet e Bashkuara theksojnë vazhdimisht se Kushtetuta e Bosnjës nuk parashikon të drejtën e shkëputjes dhe se do të veprojë nëse dikush përpiqet të ndryshojë këtë element bazë të Dejtonit.
Bosnja është partnere kyçe e SHBA-ve, që kanë synim të përbashkët sigurimin e stabilitetit rajonal. Ky mision mbështetet nga avioni KC-135 Stratotanker, i cili siguron furnizim me karburant në ajër për avionët F-16 mbi territorin e entitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë.
Trajnimi zhvillohet në kuadër të aktiviteteve të Forcave të Armatosura Amerikane për shkëmbimin e taktikave, metodave dhe procedurave operacionale me Forcat e Armatosura të Bosnjës.
Deklarata thekson edhe se njësitë e Forcave Ajrore të SHBA-ve për Europën dhe Afrikën angazhohen rregullisht ushtarakisht me partnerët rajonalë, me qëllim ofrimin e trajnimit, përmirësimit të ndërveprimit dhe demonstrimit të një angazhimi të përbashkët për të njëjtat qëllime sigurie.
Avioni amerikan do të kthehet në bazë menjëherë pas përfundimit të misionit. Aftësia për të vendosur shpejt, për të lokalizuar objektivin dhe për t’u kthyer në bazë tregon aftësinë e SHBA-ve për të projektuar fuqi kudo në kohën më të shkurtër të mundshme e për të vepruar së bashku me aleatët dhe partnerët.
F-16 është një avion i lehtë luftarak që hyri në shërbim për herë të parë në vitin 1979. Forcat Ajrore të SHBA-ve e përdorën atë gjerësisht në të dy luftërat në Irak, si dhe gjatë luftës në Afganistan.
Më shumë se 4.600 avionë F-16 u ndërtuan në vitin 1976, kur prodhimi u miratua zyrtarisht.
Çfarë i parapriu fluturimit të avionit?
Udhëheqja politike e Republikës Sërpska, e udhëhequr nga presidenti i saj, Millorad Dodik, e kërkon zëshëm shkëputjen apo ndarjen e këtij entiteti nga Bosnjë e Hercegovina.
Kjo është kundërshtuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian e të vendeve të tjera në Bosnjë.
Millorad Dodik e ka gabim nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë duarkryq teksa ai e shtyn Bosnjën drejt konfliktit. Republika Sërpska është një entitet brenda shtetit të Bosnjës. Kushtetuta e shtetit nuk parashikon të drejtën e një entiteti për t’u shkëputur.