Roli i saj në filmin “Nekrologjia”, flet Rajmonda Bulku: “Vuaja, gjakosesha, por isha e lumtur…”
E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë aktorja e mirënjohur Rajmonda Bulku. Ajo na tregoi më shumë mbi sakrificat që ka bërë në të kaluarën për të hyrë në një personazh specifik filmi. Rajmonda u ndal tek personazhi i saj në filmin “Nekrologji” të vitit 1994 nga Fatmir Koçi. Aktorja u shpreh mbi vështirësinë e të mbajturit një protezë për këtë rol…
Fatmir Koçi më jep një skenar dhe më tregon se për çfarë bëhej fjalë. Ishte një figurë që kërkonte shumë gjëra, duhej të zgjeroja nofullën, për të shtuar disa kile më duhej të bëja një veshje e brendshme me pambuk që ishte i gjetur në ca depo, që jo vetëm ishte i rëndë, por mbante dhe erë sikur kishin ngordhur minj aty.
Kam shkuar disa herë tek dentisti derisa proteza e nofullës u bë, por ishte mbi dhëmbë. Ishte një protezë e bërë enkas për filmin. Ishte e dhimbshme, por ajo më bënte mirë për të folur ngadalë. U bë fizikisht për t’u dukur më madhore, por atëherë nuk isha gati unë, isha më e dobët. Duhej kjo gjë që të hyja në atë rol. Ekziston një magji tek filmi. Edhe sikur të jesh duke vdekur dhe nëse hyn para kamerave, me fizikun tënd ndodh një mrekulli dhe nuk e ke mendjen fare. Vuaja, gjakosesha, por pastaj ishte një nga ato lodhjet e lumtura. Është lumturia që ke realizuar një figurë të vështirë dhe të çuditshme.
Si ka qenë impakti mbi këtë film?
Kemi qenë në një takim të filmit në Berlin dhe thonin si ka mundësi që nga vendi juaj të vijë me një fiulm të tillë. Të njëjtën gjë na kanë thënë dhe në Trieste. Ishte një film që nuk bëhet në një vend të varfër. Por ka pasur dhe probleme të tjera, Kinostudio ishte në grahmat e fundit. Miri zgjodhi ta bënte bardhë e zi. Xhirimi ka zgjatur rreth dy muaj, vendi i xhirimit ka qenë vetëm kalaja e Krujës. Edhe tani kur shkoj e vizitoj më duket diçka e mrekullueshme.
Një nga problematikat e kostumit të personazhit, ka qenë dhe se duhej ta mbante veshur për një kohë të gjatë. Për këtë Rajmonda u shpreh:
Duhet ta vishja në mëngjes dhe do e mbaja tërë ditën deri në darkë. Duhet të rrija e veshur sepse nuk mund ta hiqja. Edhe jashtë kamerave nuk e hiqja dot, duhet ta mbaja edhe kur nuk kisha skena. Në plastikë më bënte mirë sepse më voliste për rolin. Isha e detyruar të vuaja edhe kur nuk isha para kamerave. Sa më i vështirë të jetë një rol, aq më kënaqësi është për aktorin që e ka realizuar.