Mes tensionesh dhe thirrjeve për shkëputje nga Bosnja! Perëndimi dënon festën antikushtetuese të Republikës Sërpska!
Entiteti serb i Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, shënon sot “ditën kombëtare”, një festë antikushtetuese, në një kohë të paralajmërimeve ndërkombëtare për rritjen e synimeve politike të liderit të entitetit, Millorad Dodik, për shkëputje nga Bosnja.
Shtetet e Bashkuara bënë thirrje që autoritetet të hetojnë çdo shkelje të ligjit, ndërkaq Bashkimi Evropian paralajmëroi pasoja për ata që shkelin integritetin e Bosnje e Hercegovinës.
Nëntë janari shënon ditën kur serbët e Bosnjës më 1992, të cilët e kundërshtuan pavarësinë e Bosnjës pas shkëputjes së saj nga Jugosllavia, deklaruan shtetin e tyre të ndarë, duke nxitur një luftë ndëretnike e cila ua mori jetën më shumë se 100.000 njerëzve dhe u ndal vetëm pas Marrëveshjes së Dejtonit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, në fund të vitit 1995.
Sipas Marrëveshjes së Dejtonit, Bosnja administrohet nga një Qeveri qendrore nën udhëheqjen e një federate boshnjake dhe kroate dhe një entiteti me shumicë serbe, i njohur si Republika Sërpska.
Në entitetin serb të Bosnjës, 9 janari shënohet si ditë kombëtare, megjithëse Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës e ka shpallur atë festë antikushtetuese dy herë.
Kjo festë e ndaluar është shënuar në kryeqytetin e entitetit serb, Banjallukë, me marshime dhe parade të policisë së armatosur.
Në këtë festë marrin pjesë ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Millan Mojsilloviç, ministrat e Qeverisë së Serbisë, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, dhe patriarku e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Gjatë hapjes së festimeve, Dodik ia ndalu dekoratën më të lartë të entitetit serb kryeministri hungarez, Viktor Orban.
“Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka pranuar çmimin më të lartë të Republikës Sërpska. Është krenari e Republikës Sërpska që ta nderojë njeriun që na konsideron dhe respekton ne si realitet politik”, tha Dodik.
Gjatë dy vjetëve të fundit, Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, është përpjekur vazhdimisht ta rrënojë autoritetin e Qeverisë qendrore të Bosnjës dhe të themelojë institucione paralele për t’i rritur kërcënimet e tij të kamotshme për ta ndarë vendin përherë.
Orban po ashtu është mik i ngushtë i Putinit dhe ka mosmarrëveshje me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, duke kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.
SHBA: Autoritetet të hetojnë çdo shkelje të ligjit
Pas shënimit të 9 janarit, festës jokushtetuese në Republikën Sërpska, Shtetet e Bashkuara kërkuan hetim të këtyre ngjarjeve.
“Pritjet e SHBA-së janë që autoritetet e zbatimit të ligjit dhe ato të drejtësisë të hetojnë çdo shkelje të ligjit që ka ndodhur lidhur me festimin e Ditës së Republikës Sërpska më 9 janar”, u tha në deklaratë.
Ndërkaq, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se festa e 9 janarit është ilegale, duke paralajmëruar për pasoja të gjithë ata që shkelin integritetin e Bosnje e Hercegovinës.
Për ta mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës, dy avionë luftarakë amerikanë, F-16, fluturuan mbi qiellin e këtij vendi më 8 janar.
Shtetet e Bashkuara nuk do të qëndrojnë duarkryq derisa sfidohen Marrëveshja për Paqe e Dejtonit dhe institucionet e Bosnjës, tha Ambasada amerikane në Sarajevë.
“Stërvitja ishte pjesë e përpjekjeve e forcave amerikane për të shkëmbyer taktika, teknika dhe procedura me Forcat Ajrore boshnjake, si dhe e dëshmon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ta siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës“, tha ajo më 8 janar, raporton REL.
Festa në Banjallukë pritet të nisë sot pasdite me një ceremoni ku disa individë do të shpërblehen, dhe do të mbyllet me një paradë ushtarake në orën 17:00. Anëtarët e klubit të motoçiklistëve “Ujqit e Natës”, i cili është i afërt me Putinin, pritet të marrë pjesë në paradë përsëri.