Përdor kokainë, LSD dhe ekstazi, gazeta e njohur lëshon akuza të ashpra kundrejt Elon Musk!
“Wall Street Journal” ka lëshuar akuza të ashpra në drejtim të njeriut më të pasur në botë Elon Musk, duke shkruar se prej vitesh ai abuzon me lëndë narkotike të llojeve të ndryshme. Sipas “WSJ”, prej kohësh drejtues dhe anëtarë të këshillit drejtues të kompanive të Musk janë të shqetësuar se varësia ndaj drogës përveçse mund të ketë pasoja në shëndetin e tij, mund të shkaktojë dhe probleme në asetet miliardëshe që ai zotëron.
Gazeta amerikane sjell dëshmitë e disa personave të cilët deklarojnë se e kanë parë Musk duke konsumuar lëndë të ndryshme narkotike duke filluar nga marijuhana, kokaina, hashashi, LSD apo dhe ekstazi në disa festa. Njerëz të afërt me Musk sigurojnë gazetën se përdorimi i drogës prej tij po vazhdon, veçanërisht konsumimi i ketaminës, të cilën pronari i Tesla-s pretendon se e merr kundër depresionit me recetë mjekësore. Ndërsa avokati i tij, Alex Spiro, siguron se Musk i nënshtrohet rregullisht testeve të drogës në SpaceX dhe nuk ka dështuar kurrë.
Rikujtojmë se Musk po planifikon të ndërtojë një universitet në Austin të Teksasit, sipas dosjeve tatimore, raporton Bloomberg. Një organizatë bamirëse e quajtur The Foundation mori një donacion nga Musk prej 100 milionë dollarësh dhe me këto para planifikon fillimisht të hap një shkollë fillore dhe të mesme në Austin për shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.
Pasi të bëhet plotësisht funksionale, shkolla do të fokusohet në krijimin e një universiteti. Kjo shkollë po synon të kërkojë akreditim nga Shoqata Jugore e Kolegjeve dhe Komisioni i Shkollave për Kolegjet, një hap i parë i domosdoshëm për të hapur institucionin arsimor. Sipas dosjes, universiteti planifikon t’i mësojë studentët brenda institucionit gjithashtu edhe nga distanca, me teknologji të përshtatshme.