Deklarata e Ramës, Bardhi: Pohimi në publik se po djeg Komisionin e Reformës Zgjedhore tregon mendësinë antidemokratike!
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratave të Ramës.
“Edi Rama nuk ka interes të bëjë asnjë reformë që i shërben qytetarëve shqiptareve. Pohimi në publik se po djeg me vetëdije Komisionin e Reformës Zgjedhore që të mos u japë shqiptarëve një reformë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse që garanton standartet minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme, tregon edhe njëherë mendësinë e rrezikshme antidemokratike që ka Kryeministri i Shqipërisë për të mbajtur pushtetin me mjete antidemokratike.
Deklaratat e sotme të Edi Ramës provojnë edhe njëherë sesa e drejtë është beteja e opozitës në Kuvend. Shqipëria ka nevojë për një Reformë Zgjedhore reale, konsensuale dhe gjithëpërfshirëse që adreson të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe që krijon kushtet e barabarta të garës reale për çdo palë politike në zgjedhje”, tha Bardhi.
Kryeministri Rama pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë në Shëngjin, është shprehur për mediat se është i gatshëm të bëjë çdo negocim me premisën që keqkuptimi fizik i jetës parlamentare të zgjidhet.
Gjithashtu Rama shprehet i prerë se nuk do të ketë lëshime për diskutime për kërkesat e opozitës lidhur me Komisionet Hetimore, pasi sipas tij modelit bazë nga është marrë ky ligj, i janë hequr komponentë të rëndësishëm.
“Ligji është bërë mbi modelin bazë që u ndërtua ai ligj që në fillim, për arsye të panjohura nga mua, modelit bazë i janë hequr komponentë të për integritetin e një procesi hetimor parlamentar.Ne në parlament do qasemi siç janë qasur grekët, britanikët dhe të gjithë ata që gëzojnë sot demokracinë për të pasur parlamente, do qasemi për t’u ulur për t’u ngritur e për të marrë fjalën. Për sa kohë përballe do kemi shëmbëlltyra të keqkuptimit të madh midis sportit fizik dhe natyrës boks, mundje, hedhje gjyleje apo ndezje flakadanësh për lojëra të ardhshme olimpike do votojmë e do largohemi . Duke shprehur keqardhjen sa herë na jepet mundësia për qytetarët që kanë votuar për ata që janë aty. Lojërat fizike nuk bëhet për një problem që e dini të gjithë, është një problem njerëzor, por nuk është një problem i kësaj shoqërie i këtij populli, problem për drejtësinë i një individi që ka kaluar nga parlamenti në ballkon, dhe pret nga parlamenti përplasje. Ky është problemi, por ne nuk jemi as skllevër as luanë, ne jemi të gatshëm të bëjmë çdo diskutim çdo negocim me premisën që keqkuptimi fizik i jetës parlamentare të zgjidhet, këtë nuk e zgjidhim”, u shpreh Rama.