Greva tre-ditore e makinistëve ndalon trenat në hekurudhat e Gjermanisë!

vovalbania January 10, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Greva tre-ditore e makinistëve ndalon trenat në hekurudhat e Gjermanisë!

Trenat në Gjermani raportohet se kanë ndaluar sot pas nisjes së një greve të punonjësve për rrogat dhe orët e punës.

Greva tre-ditore është shpallur nga sindikata e drejtuesve të lokomotivave GDL, teksa hekurudhat gjermane Deutsche Bahn (DB), kanë ndaluar thuajse të gjithë trenat rajonalë, ato të qyteteve dhe të distancave të gjata.

Zëdhënësja e hekurudhave DB, Anja Broeker tha: “Greva nga sindikata e makinistëve GDL po jep pasoja të ashpra në shërbimet e trenave në Gjermani, na vjen keq për kufizimet”.

Sindikata GDL ka nisur grevën për trenat e mallrave, që prej mbrëmjes së djeshme.

Në debatin e rrogave sindikata GDL kishte bërë dy greva të mëparshme paralajmëruese 24-orëshe.

Greva aktuale thuhet se do të zgjasë deri të premten në ora 18.00

Hekurudhat ishin përpjekur të ndalonin ligjërisht grevën por gjykata urdhëroi se “greva mund të vazhdojë”.

Zhvillimi vjen në kohën e një greve të gjerë të fermerëve gjermanë që kundërshtojnë heqjen e subvencioneve të karburantit nga qeveria, duke bllokuar rrugët e qyteteve me traktorë.

Në kryeqytetin gjerman Berlin, dhjetëra traktorë të vendosur në rresht pamundësuan hyrjen në rrugën që dërgon drejt portës Brandenburg. Policia gjermane njoftoi se u bllokuan rrugët dhe hyrjet në autostrada në shumë pjesë të Gjermanisë, duke shkaktuar rëndim në trafik gjatë orëve të mëngjesit kur është edhe piku.

Fermerët janë zotuar të bllokojnë rrugët kryesore dhe ato logjistike për një javë, duke thënë se heqja e lehtësimeve tatimore do t’i detyrojë të braktisin punët e tyre.

Joachim Rukwied, kryetar i Shoqatës së Bujqve të Gjermanisë (DBV), u kërkoi qytetarëve mbështetje:

Ne nuk duam ta humbim përkrahjen dhe solidaritetin që e kemi marrë nga një pjesë e madhe e popullit. Por, ne nuk do ta pranojmë rritjen e planifikuar të tatimit për sektorin e bujqësisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE