Korrupsion në zgjedhjet e vitit 2021, SPAK dërgon për gjykim një të pandehur!
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK dërgoi për gjykim procedimin penal në ngarkim të pandehurit, Gazmend Canaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Nga hetimet rezultoi se në zgjedhjet politike të rreth tre viteve më parë ka ofruar përfitime ekonomike që persona të ndryshëm të votonin në mënyrë të caktuar, në mbështetje të një subjekti politik të përkrahur prej tij në Qarkun Tiranë.
Në njoftimin zyrtar të SPAK-ut, thuhet:
Nga analiza një e nga një dhe në unitet të provave të administruara gjatë hetimit, si përgjimet telefonike dhe deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale, provohet tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se, i pandehuri Gazmend Canaj iu ka ofruar në mënyrë të drejtpërdrejtë personave të ndryshëm përfitime ekonomike që ata të votojnë në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik që Gazmendi mbështeste në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në qarkun e Tiranës, të datës 25 prill 2021.
Rezulton e provuar se i pandehuri Gazmend Canaj iu ka ofruar dhe dhënë ushqime shtetasve G. K. dhe E. G. si dhe ju ka ofruar përfitime të paligjshme shtetasve S.K., R.C. dhe F.R., kundrejt votës së tyre dhe të afërmve të tyre, në favor subjektit politik që Gazmendi mbështeste.