Meta do të kufizojë përmbajtjet e ndjeshme për adoleshentët në Instagram dhe Facebook!
Gjiganti teknologjik Meta deklaroi së fundmi se do të fshehë përmbajtjet e ndjeshme për përdoruesit adoleshentë nga platformat Instagram dhe Facebook, mes presionit global nga rregullatorët që gjiganti i medieve sociale të mbrojë të miturit nga përmbajtja e dëmshme në aplikacionet e tij.
Këto masa do ta bëjnë më të vështirë për adoleshentët që të hasin në përmbajtje të ndjeshme sikurse vetëvrasja, vetëlëndimi dhe çrregullimet e të ngrënit kur përdorin veçori të tilla si kërkimi dhe eksplorimi në Instagram.
Të gjitha llogaritë e adoleshentëve do të jenë në mënyrë automatike në kontroll për sa i përket kufizimit të përmbajtjes në Instagram dhe Facebook dhe termat shtesë të kërkimit do të kufizohen në Instagram. “Ne duam që adoleshentët të kenë përvoja të sigurta, të përshtatshme për moshën e tyre në aplikacionet tona”,-thuhet në njoftimin e Meta-s.
Sot, ne po marrim masa mbrojtëse shtesë të fokusuara në llojet e përmbajtjes që adoleshentët shohin në Instagram dhe Facebook.
Pritet që së shpejti, Meta të heqë funksionin që deri më tani lejonte përdoruesit të ndërvepronin me miqtë e tyre nga rrjeti social Facebook në Instagram. Kompania e prezantoi këtë veçori në vitin 2020. Ky vendim mund të jetë një lëvizje për të shmangur pasojat rregullatore në Bashkimin Evropian. Integrimi ndër-platformë u njoftua në vitin 2019 dhe mori jetë në vitin 2020, duke “fshirë kufijtë” mes dy shërbimeve më të njohura të kompanisë Meta. Por, Messenger dhe Instagram tani po ndahen sërish.