Trajneri i Armando Brojës rrezikon të shkarkohet nga Chelsea…
Fundi i ndeshjes mes Middlesbrough dhe Chelsea në Kupën e Ligës ka shënuar një incident aspak të këndshëm për Armando Brojën dhe shokët e tij. Tifozët e klubit londinez, të inatosur për humbjen në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës, kontestuan futbollistët e tyre. Broja ishte ndër të paktët lojtarë të Chelsea që u kthye nga këndi ku ishin tifozët udhëtues për t’i duartrokitur si falënderim për mbështetjen. Por ai u përball më vërshëllimat dhe kontestimin e mbështetësve të skuadrës të cilët kërkonin më shumë nga kjo sfidë. Sulmuesi vrapoi poshtë tribunës, duke parë se Tiago Silva nisi të shkëmbente disa batuta aspak miqësore me tifozët që po e kontestonin. Por situata u zgjidh shpejt dhe futbollisti shqiptar gjithashtu u largua drejt dhomave të zhveshjes, ashtu si shokët e skuadrës.
Mauricio Pochettino po e gjen veten nën presion gjithnjë e më shumë te Chelsea pasi rezultatet refuzojnë të shkojnë në rrugën e tyre. Chelsea ka bërë shumë ndryshime në shtabin teknik viteve të fundit, por ende nuk ka arritur të këndellet. Blutë e Londrës e kanë nisur sezonin me trajnerin argjentinas, Pochettino, i cili gjithashtu ka hasur në vështirësi ta ngrejë skuadrën në pjesën e sipërme të tabelës.
Sipas The Telegraph, Pochettino mund të përballet me shkarkimin nëse Blutë eliminohen nga Carabao Cup në janar. Ndeshja e parë gjysmëfinale kundër Middlesbrough u humb 1–0 dhe tani gjithçka varet nga përballja e kthimit në Stamford Bridge më vonë këtë muaj. Ndërsa Chelsea nuk ka një plan të menjëhershëm për të zëvendësuar Pochettinon, drejtuesit më të lartë të klubit ia kanë bërë të qartë argjentinasit se nuk do ta tolerojnë këtë seri rezultatesh.