Partizani kërkon 1 milionë euro për dy futbollistët e tij, ja për kë bëhet fjalë…
Partizani ndodhet në Antalia të Turqisë ku po kryen fazën përgatitore me trajnerin e ri, Orges Shehi. Partizani ka zhvilluar deri tani dy ndeshje miqësore në tokën turke. Klubi i kuq dita-ditës po bëhet një “market” i preferuar i klubeve më të mëdha europiane. Të kuqtë kanë në skuadër disa emra mjaft tundues, që në të ardhmen mund t’i dëgjojmë në arena shumë më të mëdha. Një prej tyre është Maget Gueje.
Mesfushori senegalez ka tregues të jashtëzakonshëm dhe është një nga “diamantet” më të çmuar të kampionëve në fuqi. Megjithëse po arrin ta tregojë veten vetëm në 4-5 muajt e fundit, 20-vjeçari së fundmi ka përfunduar në listën e gjigantëve rumunë të Steauas së Bukureshtit. Presidenti me origjinë shqiptare i klubit, Xhixhi Bekali, në bashkëpunim me hallkat e tjera të klubit, e ka vënë mes objektivave Magetin. Ai kërkon të përforcojë ekipin me qëllim titullin kampion në Rumani dhe e sheh Magetin si një element, që mund të ndihmojë skuadrën të “sundojë” ndaj rivalëve. Media rumune “Prosport” shkruan se skautë të Steauas do të zbarkojnë në ditët në vijim në vendin tonë për të parë nga afër mesfushorin dhe për të nisur negociatat me Partizanin. Paraprakisht thuhet se klubi rumun është i gatshëm të japë rreth 500 mijë euro për Magetin, i cili në “Transfermarkt” vlerësohet 400 mijë euro. Megjithatë, gjysmë milioni janë pak për Partizanin. Klubi i kuq e di shumë mirë se çfarë lojtari ka në dorë dhe do të kërkojë më shumë. Partizani do ta lëshonte Magetin te Steaua për një shifër prej rreth 700 mijë eurosh.
Nga ana tjetër edhe Tedi Cara mbetet një emër i lakuar në kampin e kuq. Kavajasi vijon të mbetet në merkato, me turqit e Alaniaspor, që pritet të rinisin operacionin e lënë në mes në verë. Sulmuesi ka qenë titullar fiks me Partizanin në këtë gjysmë të parë të sezonit dhe konsiderohet si një nga liderët e skuadrës. Sipas mediave klubi i Alanias, që militon në Superligën turke, bëri një ofertë prej rreth 400 mijë eurosh në verë për 23-vjeçarin, por Partizani luante në Europë dhe refuzoi ta lëshonte sulmuesin.