Kush ishte shënjestra e atentatit në Tiranë/ Zbardhen detaje tronditëse
Një 35-vjeçar është plagosur me armë zjarri në Tiranë mbrëmjen e së premtes (12 Janar 2024). Ngjarja ka ndodhur pranë rrethrrotullimit të Selitës rreth orës 22:55.
I plagosuri është Zamir Kalemi. Ai ka marrë një plagë arme në këmbë. 35-vjeçari është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
35-vjeçari Kalemi ka qenë duke udhëtuar me makinë kur u qëllua me armë nga persona të paidentifikuar.
Zamir Kalemi mësohet se është vëllai i Andrea Kalemit dhe daja i Aleksandër Sadikajt.
Andrea Kalemi i shpëtoi një atentati me armë në Greqi në Gusht 2023 duke mbetur i plagosur rëndë.
Ndërsa Aleksandër Sadikaj 27 vjeç mbeti i vrarë në zonën e Unazës së Madhe të Tiranës më 11 Qershor 2022 në një atentat me eksploziv që i ishte vendosur poshtë makinës Volkswagen me të cilën udhëtonte.
Policia shkoi në rrethrrotullimin e Selitës dhe nisi hetimet për zbardhjen e dinamikës, ndërsa u ngritën postblloqe në akse të ndryshme rrugore të kryeqytetit për kapjen e autorit/ëve.
Disa minuta më vonë, një automjet u gjet duke u djegur në zonën e Bërzhitës dhe dyshohet të jetë përdorur nga autori/ët e plagosjes.
Ky është momenti kur makina e të riut Aleksandër Sadikaj, që shihni në këtë foto, shpërtheu nga vendosja e një sasie eksplozivi poshtë saj. 27-vjeçari po udhëtonte në autostradën Tiranë-Elbasan, për të dalë nga kryeqyteti, kur rreth orës 14:00 të 11 Qershorit 2022 makina u hodh në erë.
Mjeti tip Golf u përfshi i gjithi nga flakët. 27-vjeçari mbeti i plagosur rëndë në gjymtyrë dhe humbi jetën pak minuta më vonë në spital. Makina shpërtheu në Unazën e Madhe të Tiranës, jo më shumë se 500 metër larg rrethrrotullimit pranë TEG, në një orar me mjaft lëvizje. Shpërthimi i fortë i shkaktoi dëmtime edhe këtij automjeti tjetër që po lëvizte paralel me të.
Për shkak të shpërthimit në lëvizje, hetuesit dyshojnë se lënda eksplozive është aktivizuar me telekomandim. Brenda makinës së shkrumbuar të 27-vjeçarit, policia gjeti edhe një pistoletë. Grupi hetimit po mundohet të ndërtojë edhe njëherë itinerarin e lëvizjeve të të riut gjatë premtes dhe të shtunës, për të hedhur dritë mbi momentin kur është vendosur lënda plasëse.
Sadikaj jetonte në Berat dhe Tiranë ndërsa kishte edhe një resort me kuaj në afërsi të Tepelenës, nga ku publikonte shpesh foto në rrjetet sociale. Ai është një personazh i njohur për policinë.
Skeda e tij kriminale nis që prej vitit 2011 me grabitje, kundërshtim të punonjësit të policisë, goditje për shkak të detyrës dhe në vitin 2019 për vrasje të mbetur në tentative për një plagosje me thikë në Sarandë. Burime të policisë thonë se i riu njihej në rrugë operative si i përfshirë në fushën e narkotikëve. E shkuara e tij, por edhe konflikte të mundshme të fundit janë pistat kryesore hetimeve.
Andrea Kalemi i njohur ndryshe dhe me emrin Adriatik ra pre e një atentati me armë zjarri mbrëmjen e 10 Gushtit 2023 në portin e ishullit Paksos të Greqisë.
Në vendin e ngjarjes u gjetën mbi 10 gëzhoja, ndërsa autori dyshohet se është një bashkëatdhetar i tij. Për identifikimin dhe kapjen e tij policia greke ka kryer kontrolle në pjesën më të madhe të ishullit grek ku u regjistrua dhe ngjarja e rëndë.
Adriatik Kalemi u plagos rëndë dhe u dërgua për kurim në spitalin e Janinës. Media greke shkruajnë se Kalemi që prej datës 5 Gusht kishte shkuar me familjen e tij për pushime në Greqi, duke udhëtuar nga Italia. Sipas policisë ngjarja e rëndë ka dyshime të jetë e lidhur me konflikte të së shkuarës ku 51-vjeçari mund të ketë qenë përfshirë ose për hakmarrje.
Kalemi rezulton të jetë kushëri i parë me Aleksandër Sadikajn të ekzekutuar në një atentat me tritol në makinë më 11 Qershor të 2022, në afërsi të zonës së Saukut në Tiranë.
Emri i Adriatik Kalemit u përmend dhe në dosjen hetimore të një tjetër ngjarje kriminale të ndodhur në vitin e shkuar, atë të vrasjes së Edmond Papës në Dhjetor të 2022 në Tiranë. Ngjarje kjo për të cilën policia ka vënë në pranga 1 nga dy autorët e dyshuar të vrasjes që dyshohet se u krye në shenjë hakmarrje për ekzekutimin e Aleksandër Sadikajt.